E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, dëshmia në Gjykatë: Telefonata mes Berishës dhe kryetares së Bashkisë

Llazar Bicja rrëfen para Krimeve të Rënda se nuk ka lidhje me ngjarjen. Roland Xhepexhiu: “Për kë duhet të flas? Për Berishën, apo Agron Kuliqin?”

Tiranë - Dëshmia në procesin gjyqësor për masakrën e Cërrikut zbardh telefonatën mes Presidentit të asaj kohe Sali Berisha dhe ish-kryetares së Bashkisë së Cërrikut. Njëri nga të pandehurit e këtij procesi, teksa i ka ardhur radha për të rrëfyer mbi pozicionin e tij, ka zbardhur detaje në të cilat janë përfshirë jo pak emra të rëndësishëm. Kryeministri Sali Berisha është vënë në dijeni të masakrës së Cërrikut në vitin 1997 nga ana e kryetares së Bashkisë së Cërrikut, Mishelina Milo. Ish-kryetari i Partisë Socialiste në Cërrik, Llazar Bicja, njëkohësisht njëri prej të pandehurve të akuzuar për vrasjen e gjashtë gardistëve, ka treguar dje në seancën gjyqësore bisedën e Milos me Presidentin e asaj kohe Sali Berisha, për ngjarjen. I pyetur nga kryesuesi i kolegjit penal, gjyqtari Klodian Kurushi, Bicja ka treguar se kur ka qenë në banesën e kryetares së Bashkisë së Cërrikut, Mishelina Milo, ka dëgjuar se ajo ishte duke komunikuar me Presidentin e Republikës, Sali Berisha.
Dëshmia
Llazar Bicja ka rrëfyer dje për herë të parë se si kishte mësuar Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, për masakrën e Cërrikut. “Ajo i tha Presidentit se në Cërrik nuk ka banda dhe banditë, por gjithçka ndodhi si rrufe në qiell të hapur. Më tej ajo vazhdoi me informacionin e saj duke i shpjeguar Berishës se nuk dinte nëse kishte apo jo të plagosur”, - sqaroi dje para gjykatës i pandehuri Llazar Bicja. Dëshmia e të pandehurit vijoi me detaje të tjera mbi ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, kur u sulmuan punonjësit e Gardës së Republikës. “Ndodhem prej 20 muajsh në burg duke më privuar lirinë dhe më kanë cenuar dinjitetin tim, si pasojë e strukturave të Policisë së Shtetit dhe organit të hetimit, të cilët më akuzojnë për ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, ku janë vrarë gjashtë punonjës të Gardës. Nuk kam lidhje me këtë ngjarje, nuk kam lidhje as me të pandehurit apo ndonjë person që ndodhet jashtë”, - theksoi Bicja.
Vendndodhja
Bicja shpjegoi se ditën që ka ndodhur ngjarja, ai kishte qenë në Bashkinë e Cërrikut, në një takim me persona të tjerë, ku e pranishme kishte qenë edhe kryetarja e Bashkisë, Mishelina Milo. “Pasi na kanë njoftuar që në bashkinë e qytetit kishin ardhur disa tanke, kemi dalë jashtë nën panik. Meqë e kisha shtëpinë larg, kam shkuar te banesa e Milos, duke u larguar disa orë më vonë. Të nesërmen kam shkuar sërish te Milo ku e kam pyetur nëse kishte ndonjë dijeni për atë që ndodhi”, - ka shpjeguar i pandehuri. Bicja ngriti dje pretendimin se kishte qenë një nga personat që kishte kërkuar që të arrestoheshin personat që ishin përgjegjës për këtë ngjarje. Pas deklarimeve të Bicjes, i pandehuri Met Bozi i ka shpjeguar gjykatës se posedonte një letër të Rushan Miminit, i cili i drejtohej në vitin 2007 kryeministrit Sali Berisha, duke i treguar detaje të ngjarjes ku u vranë gardistët. I pandehuri ka shpjeguar se Mimini thoshte në letër që ishte dëshmitar okular i ngjarjes dhe kërkonte që të strehohej. Ndërsa në fund të letrës shpjegonte që Met Bozi nuk kishte lidhje me ngjarjen. Për këtë fakt i pandehuri i ka kërkuar gjykatës që të thirrej në cilësinë e dëshmitarit Rushan Mimimi, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.

Xhepexhiu: “Kujt do t’i përgjigjem? Berishës, apo Kuliqit?”

Debate të ashpra kanë nisur mes gjykatës dhe të pandehurit Roland Xhepexhiu. Gjyqtari i kërkoi që të jepte deklarime para gjykatës, ndërsa ai nguroi. “Kujt do t’i përgjigjem? Agron Kuliqit, apo Sali Berishës? Se edhe prokurori Anton Martini është nga Tropoja. Ata e kanë bërë këtë inskenim”, - deklaroi Xhepexhiu. Të pandehurit akuzohen për ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, ku humbën jetën gjashtë gardistë: Sali Martini, Besnik Syla, Halit Haxhia, Qemal Mehmeti, Bashkim Mella. Të pandehurit e këtij procesi, Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Xhepexhiu, Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, po gjykohen për akuzat: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese më shumë se një herë” dhe “vrasje në rrethana cilësuese më shumë së një herë, të mbetur në tentativë”.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›