Shiste drogë në sy të fëmijëve, pranga shqiptarit në Itali
Është kapur në flagrancë me një kilogram e gjysmë kokainë në shtëpi një shtetas shqiptar, i cili shpërndante drogë në praninë e dy fëmijëve të tij minorenë. Kjo ishte jeta e dyfishtë që bënte shqiptari 32-vjeçar Adriatik Hamzai, pa precedentë të mëparshëm penalë dhe rezident në Rekanati, ku jetonte me letra të rregullta bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Sipas policisë lokale në Rekanati, Hamzai ishte shpërndarës droge gjatë natës dhe në fundjavë, ndërsa paraditeve kryente punë të tjera, kryesisht në ndërtim, të paktën derisa u arrestua më datë 21 mars nga skuadra operative e Tolentos. Pas një serie të gjatë hetimesh 32-vjeçari është prangosur në flagrancë, ndërsa droga iu gjet brenda në makinën e tij. Gjatë një kontrolli më pas në banesë iu sekuestruan dhe 5000 euro, të cilat dyshohet të jenë të ardhura nga shitja e drogës.
25 Mars 2009