E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarët e gjykatave: “Policët që kanë vendosur nuk ofrojnë siguri”

KLD-ja mbledh kryetarët e gjykatave për t’u njohur me shqetësimet që kanë mbi sigurinë. Spahiu: “Këshilli po ndjek me shqetësim situatat e krijuara nëpër gjykata”

Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbledh për sigurinë në gjykata kryetarët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apeleve. Mbledhja u zhvillua dje në ambientet e Këshillit dhe u drejtua nga zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Të pranishmit kanë paraqitur shqetësimin e tyre të përbashkët se gjyqtarët janë të pasigurt në punën e tyre të përditshme. “Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi mbrojtjen efektive të gjyqtarëve dhe gjykatave, temë që është bërë objekt i shqetësimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kohët e fundit”, - thuhej në njoftimin zyrtar të KLD-së. Gjatë mbledhjes folën disa nga kryetarët, të cilët sollën në vëmendjen e numrit dy të KLD-së raste konkrete që vërtetojnë pasigurinë e tyre. Kjo mbledhje vjen pak ditë pas dorëzimit në KLD të draftit për mbrojtjen speciale të gjyqtarëve. Këshilli e pa të arsyeshme që fillimisht të diskutohej me palën kryesore që preket nga mungesa e kësaj mbrojtjeje.
Këshilli
Mbledhja e djeshme është fokusuar në sigurinë që ofrohet aktualisht në mjediset e gjykatave si dhe sa të mbrojtur e kanë jetën gjyqtarët në kushtet aktuale. KLD e konsideron detyrë primare mbrojtjen e Gjyqësorit nëpërmjet përmbushjes më së pari të garancive ligjore dhe ky Këshill, - deklaroi Kreshnik Spahiu, - ka vlerësuar rëndësinë e padiskutueshme që ka garantimi i rendit dhe sigurisë në çdo gjykatë të republikës. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaroi se pasiguria në gjykata mund të cenojë parimin e zhvillimit të procesit të drejtë ligjor. “Siguria në gjykata nuk prezumon vetëm mbrojtje të gjyqtarëve, por siguri për të drejtën, publikun, avokatët, prokurorët, si dhe për gjyqtarët gjithashtu. Në një mjedis të pasigurt, qytetarët mund të hezitojnë të kërkojnë të drejtën e tyre dhe gjyqtarët mund të kenë vështirësi në dhënien e drejtësisë”, - tha dje Spahiu. Sipas numrit dy të KLD-së, Këshilli po i ndjek me shumë shqetësim situatat e krijuara nëpër gjykata.
Reagimet
Spahiu mori opinionet e krerëve të gjykatave se cila është gjendja aktuale në gjykata në drejtim të organizimit të shërbimit të vijueshëm të Policisë së Shtetit si dhe sa e justifikon ruajtjen dhe sigurinë në gjykatë shërbimi aktual i organizuar, nisur nga problematikat e reflektuara në gjykatë ( duke mos folur thjesht me prezumim të rrezikut, por me konkretizim të situatës, duke mbajtur parasysh që faktorët mund të jenë të shumtë: rajoni ku ushtrohet detyra, niveli i kriminalitetit dhe përhapja e disa lloj veprash penale, infrastruktura e gjykatës, madhësia e trupës gjyqësore etj.). Që prej një viti, organizimi i pushtetit gjyqësor rregullohet nga ligji i ri organik (Nr.9877, datë 18.2008 ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH’) Neni 41 i të cilit përcakton se: në funksion të garantimit të rendit dhe të sigurisë, pranë gjykatave organizohet shërbim i vijueshëm i Policisë së Shtetit, i cili vepron sipas urdhrave të kryetarit të gjykatës. Kjo kërkon përgatitjen e të gjitha akteve nënligjore të nevojshme dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm mes kryetarëve të gjykatave dhe Policisë së Shtetit.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›