Masakra e Cërrikut, dëshmojnë në proces dy mjekë dhe një gazetar
TIRANË - Procesi për masakrën e Cërrikut vijoi dje me disa dëshmi. Si dëshmitarëve të akuzës ishin thirrur, dy mjekë, një gazetarë dhe një banor i Cërrikut. Dëshmitarët treguan fakte mbi masakrën për shkak të profesionit që kishin. Korrespondenti Besim Dybeli tregoi para gjykatës kontaktet që kishte pasur me banorët dhe një prej gardistëve të plagosur për të zbardhur sa më shumë të dhëna për masakrën. Ndërsa mjekët dhanë informacione më të përgjithshme, për shkak se ishin ditë trazirash dhe urgjenca në spital aso kohe ishin të shumta. Banori i Cërrikut rrëfeu se ishte marrë nga policia pas ngjarjes, ishte torturuar dhe nën dhunë i ishte dashur të firmoste një deklaratë për të cilën ai nuk mbante mend se çfarë ishte shkruar në të. Gazetari Besim Dybeli tregoi se ditën që ka ndodhur ngjarja ai ishte në qytetin e Elbasanit, pasi kishte qendrën e punës. Edhe atë ditë si zakonisht isha duke shkuar për në punë. “Kur mësova për ngjarjen u nisa direkt për në Cërrik dhe vajta në shtëpi. Më pas kam dalë në qytet për të parë se çfarë ishte bërë. Pasi zbrita nga fugoni në Cërrik gjatë rrugës për në shtëpi kam parë një tank nga i cili po dilte tym. Por nuk kam arritur që të fiksojë ndonjë person, pasi kishte shumë njerëz përjashta. Më vonë dola sërish nga shtëpia dhe shkova në shesh për të parë ngjarjen dhe kam takuar qytetar për të marrë vesh ndonjë informacion. Mësova që kishte pasur një përplasje dhe kishte të vrarë dhe të plagosur. Një ditë përpara se të ndodhte kjo ngjarje është tentuar që të digjej posta e policisë dhe unë bashkë me disa persona të tjerë tentuam që të bllokojmë dhe të mbanim turmën që të mos prishej posta e policisë”, rrëfeu gazetari. Dybeli tregoi se kishte arritur që pas kësaj ngjarje të marrë në pyetje dy të plagosur, me njërin prej tyre ishte takuar në ambulancën e Cërrikut. “Kam takuar edhe një person tjetër në një banesë pallati, në momentin e intervistës kishte edhe dy persona të tjerë të cilët ishin në mbrojtje të të plagosur. Më vonë mësova se tek pallati përballë Kinoklubit kishte të vendosur armë dhe një antitank” deklaroi dëshmitari. Ka dëshmuar Behar Gjevori mjek anestezist në spitalin e Elbasanit, ka treguar se punonin me dy brigada me turne prej 24 orësh. “Përsa i përket ditës së ngjarjes ka qenë mjaft e ngarkuar dhe ka pasur shumë të plagosur dhe të djegur. Plagët e këtyre personave ishin të shkaktuara nga armët. Detyra ime ishte që të shoqëroja për në spitalin e Tiranës ata persona që ishin në gjendje më të rëndë”, deklaroi mjeku. Më pas seanca vijoi me dëshminë e mjekut kirurg Bujar Turxhëri. Ndërsa banori i Cërrikut, Bashkim Dulja tregoi se ditën e ngjarjes kishte qenë në Tiranë pasi ishte në spital. Njihte disa nga të pandehurit pasi ishin banorë të Cërrikut. “Pasi ka ndodhur kjo ngjarje më kanë marrë në ora 10 të natës dhe më kanë çuar në polici. Aty më kanë rrahur aq shumë sa edhe sot kam plagë, nuk e di se çfarë është shkruar në atë deklaratë që unë firmosa pasi më detyruar me dhunë”-tha dëshmitari.
21 Korrik 2010