Në pranga mashtruesi i tregtarëve, kishte marrë 70 milionë lekë
Artan CENA- Mashtrimet e tregtarëve kanë çuar në pranga një 28-vjeçar. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se, gjatë mbrëmjes së dy ditëve se është vënë në pranga 28-vjeçari, Fation Podri. Sipas uniformave blu, i arrestuari akuzohet se me anë të mashtrimi deri më tani ka përfituar shumën prej 70 milionë lekësh. Burime zyrtare thanë se, efektivët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar, pas disa muaj hetimesh u arrit kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i Fatjon Podri, 28 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ndaj të arrestuari në Seksionin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar janë depozituar disa kallzime penale nga disa persona të dëmtuar, pasi dyshohet se Podri mashtronte duke u prezantuar si administrator i një Kompanie Private dhe mashtronte tregtarë të subjekteve të ndryshme në Tiranë (si kambist, exchange, etj) duke i mashtruar në kohë e vende të ndryshme, me synim posedimin e një shume të konsiderueshme parash, e cila deri më tani shkon në përfitimin e 70 milion lekëve.
Skema e mashtrimit
Fillimisht, i arresturi, Fatjon Podri u merrte para borxh tregtarëve të ndryshëm, duke ju premtuar dhe interesin e parave të marra borxh, ku fillimisht është treguar korrekt në kthimin e parave së bashku me interesin. Por pas kalimit të disa kohëve, gjendja ka filluar të vëshirësohet dhe këstet kanë filluar të vonohen. Tregtarët që i kanë dhënë janë shqetësuar për këtë gjendje. Ndërkohë që i riu shmangej takimit me ta. Më në fund borxhdhënësit nuk kanë parrë rrugë tjetër, por i janë drejtuar policisë. Ata kanë treguar se, i riu kishte marrë para prej tyre, duke u premtuar se do ua kthente me këste dhe me shtesë. Pasi kanë marrë informacionet, uniformat blu të krimit ekonomik kanë nisur hetimet dhe në fund kanë arritur në përfundimin se, Fatjon Podri kishte ngritur në një farë mënyrë një skemë mashtrimi. Pas sigurimit të provave, policia ka prerë fletëarrestin ndaj tij dhe ndalimi është bërë mbrëmjen e dy ditëve më parë. Nga hetimet e deritanishme, ka rezultuar se ky shtetas këtë aktivitetet të paligjshëm e ka ushtruar përreth 1 vit e gjysëm, duke përfituar më anë të mashtrimit shumën e parave e cila deri më tani shkon në 70 milion lekësh.
Hetimet e tjera
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se, aktualisht nga strukturat e Krimit Ekonomik është duke u punuar mbi evidentimin e të tjerë qytetarëve dhe tregëtarëve të tjerë të dëmtuar dhe mashtruar nga ky person, “Ndërkohë poliia fton ato të paraqiten për të depozituar kallzimin e tyre në Seksionin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në ambjentetet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë”, thanë gjatë ditës së djeshme burimet zyrtare. Sipas policisë, dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të Fatjon Podrit do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “mashtrimit”.
21 Korrik 2010