Shpërthejnë depozitat e solarit, shmanget tragjedia
FIER - Një shpërthim ndodhi mesditën e djeshme pranë fabrikes së tullave në dalje të qytetit të Fierit. Një cisternë dhe disa bote nafte të papërpunuar u përfshinë nga flakët. Sipas autoriteteve që ndërhynë me shpejtësi bëhet e ditur mund të ishte shkaktuar një tragjedi me prmasa të rënda për zonën. Drejtori i policisë së Fierit, Mërgim Hoxha, ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes, dhe mënyren se si është menaxhuar situata e cila sipas tij mund të kishte shkaktuar një tragjedi njerëzore. “Në fshatin Mbrostar ka rënë zjarr në depozitat e një kompanie private. Ishin 3 bote dhe një depozitë bosh. Forcat e policisë bashkë me emergjencën civile kanë shkuar në vendngjarje. Është kërkuar ndihmë dhe mbështetje me mjete zjarrfikëse nga kompania Albpetrol dhe ARMO, mbështetje e cila është ofruar menjëherë. Situata u vu nën kontroll”, tha Hoxha. Për shuarjen e zjarrit, janë angazhuar, “6 mjete zjarrfikëse dhe shumë forca policie”, tha drejtori i policise se qarkut Fier, duke shtuar se u bë “evakuimi i zonës për të shmangur rrezikimin e jetëve njerëzore”. Nuk ka ende informacione të sakta në lidhje me shkaqet e zjarrit, ndërkohë që pritet të fillojnë sa më shpejt hetimet për zbardhjen e rrethanave, tha Hoxha.
Notonin në përrua, mbyten dy kushërinjtë
GRAMSH - Dy të rinj të moshës 18 dhe 21 vjeç janë mbytur pasditen e djeshme në një përrua në fshatin Përvol të Gramshit. Ngjarja e rëndë ndodhi aksidentalisht teksa të rinjtë po laheshin në grykëderdhjen e përroit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve ndërsa mësohet se të rinjtë janë kusherinjtë, Mariglen Kullolli dhe Elton Dusha. Nga dëshmitë paraprake të rinjtë kanë tentuar të notojnë në përrua për një kohë të gjatë por njëri prej tyre është gjendur në vështirësi dhe është përfshirë nga rrjedha e ujit. Ai ka thirrur për ndihmë kushëririn e tij, i cili është mbytur në tentativë për të shpëtuar nga rreziku 18-vjeçarin. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se kanë nisur aksionet për nxjerrjen e trupave nga uji ndërsa drejt Gramshit janë nisur nga Tirana forcat speciale të RENEA-s.
Drogë lazarati për turistët e Tiranës dhe Durrësit, në pranga 2 të rinj
TIRANË - Dy të rinj janë vënë në pranga pasi janë kapur duke transportuar lëndë narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se, me anë të operacionit të koduar "Vora" janë sekuestruar 85 kg kanabis dhe të arrestuar janë 2 persona. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka theksuar se janë arrestuar shtetasit, Elert Latifi, 20 vjeç dhe Rigers Kaja, 22 vjeç të cilët u kapën në kryqëzimin e Vorës, gjatë një operacioni të policisë. Sipas Vocajt, dy të arrestuarit kanë bërë rezistencë gjatë arrestimit duke tentuar të largohen me shpejtësi me makinën e tyre e cila më pas është sekuestruar nga policia. Ndërkohë policia thekson se gjatë kontrollit në shtëpinë e Elert Latifit është bërë i mundur edhe sekuestrimi i një automatiku tip kallashnikov. Sipas uniformave blu, droga vinte nga Lazarti dhe kishte si destinacion Tiranën dhe Durrësin dhe do të shpërndahej në lokalet e natës gjatë verës.
21 Korrik 2010