Masakra e Cërrikut, dëshmon ish-shefi i blindave të Gardës
Armand Bajrami
Komandanti i mjeteve të blinduara në Gardën e Republikës në vitin 1997 rrëfeu dje tek Krimet e Rënda se si ishin nisur autoblindat me gardistë në 22 maj të atij viti drejt Cërrikut, ku një ditë më pas u vranë 6 prej tyre e u plagosën 15 të tjerë. Rustem Martinaj tregoi në procesin gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si autorë të “masakrës së Cërrikut”, për dijeninë mbi masakrën, lotët e parë në sytë e gardistëve të shokuar nga momentet kur kishin parë kolegët t’u vriteshin përpara syve dhe deri tek vajtja e tij në Cërrik tre ditë pas ngjarjes për të kërkuar vartësin e tij Qemal Mehmeti. Përreth 3 orë, dëshmitari Martinaj iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve, avokatëve dhe gjykatës duke zbardhur detaje mbi mënyrën e futjes së autoblindave në Cërrik një ditë pas rënies së Postës Policore të qytetit dhe fjalëve të hapura në qytet se “do të vinte Garda të vriste dhe të përdhunonte”. Sipas dëshmitarit mjeti i blinduar ishte qëlluar dy herë me armë kundërtank. Flaka e shkaktuar kishte djegur brenda dy nga gardistët, të cilët nuk kishin mundur të dilnin. Ndërsa katër të tjerët janë vrarë nga plumbat e agresorëve teksa po dilnin nga blinda në zjarr. Teksa dëshmonte dje, dëshmitari drejtoi gishtin duke identifikuar të pandehurin Roland Xhepexhiu në qelinë e sallës së gjyqit, si personin e armatosur që u kishte dalë para makinës pak ditë pas “masakrës” në Cërrik. Dëshmitari Shpend Haklaj, një nga ish gardistët e pranishëm në ngjarje nuk mundi të dëshmojë dje, për shkak të ndërprerjes së seancës.
NISJA PER NE ELBASAN
Në vitin 1997 kam qenë në Gardën e Republikës në detyrën e komandantit të mjeteve të blinduara, detyrë që e kam mbajtur deri në janar të vitit 1998. Në janar të vitit 1998 jam transferuar pranë Komisariatit të Policisë Bulqizë me detyrë komandant i Postës Kufitare. Detyrën në Gardë e kam marrë në 16 mars 1997. Në mars të vitit 1997 Garda e Republikës pati një “rrjedhje”, pati një dezertim dhe për këtë qëllim, për shkak edhe të gjendjes së jashtëzakonshme, u bë thirrja që ish-ushtarakët të ktheheshin në punë. Në këtë mënyrë u bë mobilizimi me trupa efektive, ish-nënoficerë apo tankistë që ishin të përgatitur teknikisht dhe ushtarakisht, që kishin eksperiencë të mëparshme ushtarake. Ata janë mobilizuar, një pjesë e tyre, jo të gjithë, në 19 mars të vitit 1997. Nga kjo ditë, në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme efektivi jonë ka kryer detyra sipas ligjeve të kohës për Gardën e Republikës. Kemi pasur urdhër që mjetet e blinduara të viheshin në ndihmë të ndërhyrjes së shpejtë. Kemi patrulluar në Tiranë dhe në rrethe. është bërë një punë e mirë. Jemi vlerësuar për këtë. Lëvizja e parë me mjete të blinduara jashtë rrethit është bërë në 1 prill 1997 në Berat. Më pas lëvizje dhe patrullime janë bërë edhe në Korçë, në Shkodër dhe në Elbasan. Efektivët e gardës ishin ushtarakë të mirëfilltë dhe kanë vepruar në kushtet e situatës së gjendjes së jashtëzakonshme në bazë të rregullave dhe të ligjit. Më 22 maj `97 rreth orës 08:20, teksa qëndronim në gatishmëri, morëm urdhër për lëvizje në drejtim të Elbasanit. Përgatitëm katër transportues të blinduar me zinxhirë. I kemi hipur në “Scania”-t të ushtrisë. U bë kolona gati dhe u përcaktuar efektivët që do të merrnin pjesë në këtë lëvizje. Në forcat e nisura kanë qenë P. Allmataj, oficer, D. Xhepa, oficer, Sh.Haklaj, S. Puca, H. Doçi, P. Kolpreçi e B. Pali me gradën kapterë. Kapterët ishin drejtues të mjeteve të blinduara. Kanë qenë të ndjerët S. Martini, B. Syla, H. Haxhia, Q. Mehmeti dhe B. Mella. Kanë qenë dhe disa efektivë të tjerë si A. Rusta, H. Biberi dhe I. Dega. Në 23.00 janë nisur për në Elbasan. Itinerari ka qenë Tiranës-Plepa-Rrogozhinë-Elbasan. Atë natë kam qenë në gatishmëri në Gardë. Të nesërmen rreth orës 09.30 erdhi komandanti i Gardës, Xhahit Xhaferri, komandanti i njësisë Pal Prenga, shefi i shtabit të njësisë na dhanë urdhër dhe kemi nisur pesë mjete tanke nga Qafë-Kraba për në Elbasan. Pasi u nisën, unë jam kthyer pas 1 orë e gjysme tek zyra e komandantit të Gardës, Xhail Xhaferri. Në momentin që hyra në zyrë aty erdhi Gëzim Velaj i gjakosur në krah. Deri në ato momente unë nuk dija asgjë se çfarë kishte ndodhur me efektivët e dërguar në Elbasan. Gëzimi na tha që kishin rënë në pritë në Cërrik. “Unë solla Fariun të plagosur në Spitalin Ushtarak”, na tha ai. Me taksinë që kishte ardhur Gëzimi shkova tek spitali ushtarak. Shkova dhe e gjeta Fariun. Ai më tha që kishin rënë në pritë, që ishin vrarë shumë dhe plagosur shumë të tjerë. Dy prej gardistëve Fariu i kishte parë të vrarë. Në këtë kohë në Spitalin Ushtarak erdhën dhe familjarët e të plagosurve të tjerë, si dhe të të vrarëve, për të marrë trupat. U bë kaos në spital. Pasdite erdhën trupat. Në 19:45 vjen Kryeministri i kohës Bashkim Fino dhe vizitoi të plagosurit. Në shkallët e spitalit Fino deklaroi se ‘kush ka qëlluar mbi gardën ka qëlluar mbi shtetin dhe ata që e kanë bërë këtë do të dalin përpara drejtësisë’.
Në 21:30 u interesuam se ku ndodheshin mjetet e blinduara. Morëm vesh që janë ndaluar tek “Tre çezmat” dhe po kthehen në drejtim të Tiranës. Në 22.30, së bashku me dy efektivë të tjerë të Gardës me një ‘IFA’ u nisëm drejt Elbasanit. Në Mushqeta dëgjova zhurimën e tankeve që po ktheheshin. Ishin tanket dhe tre transportues të blinduar, i katërti ishte djegur në Cërrik. Askush nuk zbriti nga tanket. U vendosa në fund të kolonës dhe në 4:50 kemi qenë në Gardë. Të gjithë ishin të shokuar. Kishte edhe nga ata që qanin. Edhe me ngushëllonin, pasi një nga të vrarët, Fatmir Martini, ishte djali i xhaxhait tim. I mora të gjithë ata aty dhe u kam dhënë një kafe në një bar pranë ‘Akademisë së Arteve’”, tha dëshmitari.
NGJARJA
“Lidhur me ngjarjen, e kam mësuar nga Pjetër Kolpreçi , Hysen Doçi, Sokol Puci, Dashamir Gjeti, Petrit Manjani, Shpend Haklaj, Ilior Bega që kanë qenë në Cërrik. Sipas tyre në Elbasan ata kishin marrë edhe dy mjete transportuese të blinduara të Policisë së Elbasanit. Në Elbasan efektivëve të gardës iu janë bashkangjitur efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Sipas dëshmive të tyre, para se të futeshin në qendër të Cërrikut ata kanë bërë një kontroll banese. Kanë arrestuar një person. Aty kanë gjetur një sasi të konsiderueshme municioni. Armatimi është dorëzuar në Gardë. Pas kësaj autokolona është futur në Cërrik. Fillimisht është futur vetëm një transportues, i cili është goditur. Sipas tyre, transportuesi ishte goditur me kundërtank.
Kur na kanë sjellë transportuesin në Gardë unë kam bërë këqyrjen, por ende nuk e di në e ka këqyrur Prokuroria. Sipas meje transportuesi është goditur dy herë më antitank. Një goditje e ka marrë në zinxhirë dhe një e ka marrë në pjesën ballore.
Në 26 maj unë jam futur vetë në Cërrik dhe sipas vendit ku është goditur blindi dhe rrethanave mendoj se goditja ka ardhur nga Kinoklubi. Më treguan se kur transportuesi mori flakë gardistët kanë dalë dhe janë vrarë duke dalë. Dy vetë nuk kanë mundur dot të dalin nga blindi dhe janë djegur brenda. Ndërsa Azem Rusto dhe Agim Biberi janë marrë peng. Pastaj është futur një transportues i blinduar tjetër që ka bërë tërheqjen e disa të plagosurve. Më pas edhe një tjetër. Vetëm tre transportues janë futur në qytet, të tjerat kanë qëndruar në rrethinat”, u shpreh Martinaj.
KERKIMET PER GARDISTIN
“Pasi nuk u gjet Qemal Mehmeti, në 26 maj 1997 vendosa të futem në Cërrik. Kisha me vete Andrea Degën dhe një gardist me emrin Artan, që ishte edhe fqinj i Qemalit. Kemi shkuar në Elbasan. Lamë armatimet në makinë dhe shkuan tek stacioni i furgonave të Elbasanit. Në furgon ishin disa gra me të zeza që na thanë: mos shkoni në Cërrik, se do ju vrasin edhe juve. Në hyrje të Cërrikut na dolën përpara dy vetë të armatosur dhe të maskuar. Ndaluan furgonin dhe pyetën nëse kishte njerëz nga Belshi në makinë. Shoferi i tha që jo. Një nga ato gratë në makinë pyeti më pas për një nga personat e maskuar: Po ai kush ishte, Berti? Një nga pasagjerët e furgonit i tha gruas: Mos përmend emra.
Tek kthesa e Cërrikut ishte një makinë e kuqe, me sa kujtoj ishte një ‘Fiat tipo’. Ishin disa njerëz, me duket se gazetarë.
Më mbrapa ishin disa persona të armatosur. Na ka ndaluar Land (Roland) Xhepexhiu (drejton gishtin duke e identifikuar tek të pandehurit e procesit). Pyeti shoferin në kishte njerëz më parë. Ai i tha për maskat që e kishin ndaluar. Ai hipi në furgon dhe duke ecur me indietro e çuam deri atje. Më pas vijuam për në Cërrik. Dukej transportuesi i djegur. Në këtë kohë Andrea, njohu një person, Land Xhelili. Kishin punuar bashkë para disa vitesh në Greqi. I thamë që po kërkonim Qemal Ahmetin. Hipëm në një benz. Zbritëm në dalje të Cërrikut. Ishte një banesë aty, pranë dy pallateve, ku do të pyesnim. Pak më parë shkurtabiqi që na doli përpara me maska erdhi me një furgon të bardhë. Ishin rreth 7-8 vetë në furgon të gjithë të armatosur, që kishin nxjerrë tytat e kallashnikovëve në dritaret e mjetit. Ai kërcënoi shoferin tonë duke i thënë:’Po ti pse i the Landit (Roland Xhepexhiut)! Do flasim në darkë!’ Pastaj shkuam të pyesnim diku tjetër. Në vijim dolëm 6 kilometër jashtë Cërrikut. Sipas dëshmisë së Landit në 22 maj në Cërrik ishte thyer Posta e Policisë dhe sikur nga Policia e Elbasanit ishte telefonuar dhe ishte thënë që ‘do vijë Garda, do ju vrasë, do ju përdhunojë’. Ne hipëm në autobusin e Belshit për t’u kthyer në Elbasan. Pa arritur, pamë benzin me drita ndezur që po vinte pas nesh. E takuam dhe na tha që pas interesimit tonë për Qemal Mehmetin në Cërrik kishin mësuar se ka shkuar me një shokun e tij në Gjinar. Nuk e besuam. Por u kthyem në Gardë. Qemal Mehmeti u gjet pas dy ditësh në murgun e spitalit të Elbasanit”.
PER AVOKATET
Dëshmitari iu përgjigj dje pyetjeve të avokatëve mbi gardistët e marrë peng në ngjarjen e 23 majit 1997 në Cërrik. “Peng është marrë Agim Biberi dhe Azem Rusta. Më kanë thënë që i kanë dhunuar, ofenduar e filmuar. Vartësit më thanë që në Cërrik ishin qëlluar nga të gjitha anët dhe se përgjegjës i kolonës që shkoi në Cërrik ishte Arjan Cenga”, tha dëshmitari. Në vijim të sqarimit për avokatët, dëshmitari pohoi se gardistët u nisën drejt Elbasanit dhe më pas, nga aty ata janë drejtuar për në Cërrik. Sipas dëshmitarit, efektivët kishin me vetë armatimin e tyre personal, automatik dhe pistoletë. Ndërsa e montuar në transportuesit e blinduar ishte edhe një mitroloz i kalibrit 12.7 mm me 500 fishekë. “Nga mitrolozët e transportuesve nuk është qëlluar”, tha dëshmitari duke pohuar se kishte qene vetë ai që kishte bërë inventarin e armatimit, pasi mjetet ishin kthyer në Gardë. Martinaj sqaroi se struktura e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishte formuar në vitin 1997 dhe, sipas një vendimi të qeverisë së asokohe kjo strukturë shoqëronte Gardën. Sipas dëshmitarit ato kanë pasur armë speciale si ‘bazuka’. “Në një foto të publikuar të Neritan Cekës me një grup nga Cërriku ka persona që i kanë ato armë në dorë”, tha dëshmitari duke pretenduar se ato armë të marra në vendin e ngjarjes pas përballjes së rebelëve me Gardën dhe Policinë.
Refuzohet kërkesa për Gjeneralët e gardës
Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën e avokatit Sajmir Visha për bashkimin e procedimit penal mes të pandehurve të “bandës së Cërrikut” tek Krimet e Rënda me të pandehurit Xhahit Xhaferri dhe Arjan Cengës. Dy të sipërpërmendurit, përkatësisht me detyrat ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-Shefi Operativ i Gardës në vitin 1997, aktualisht po gjykohen në Gjykatën e Tiranës për akuzat e “rebelimit, dezertimit, vjedhjes së armatimit, si dhe shpërdorimi të detyrës”. Prokuroria kërkoi rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në ligj dhe se mes të pandehurve në procesin në Gjykatën e Tiranës dhe atyre tek Krimet e Rënda nuk kishte prova të lidhura. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë me arsyetimin se situata nuk i përkiste momentit kur mund të bëhej bashkimi i procedimit dhe se kërkesa ishte e pambështetur në ligj.
Të akuzuarit
Llazar Bicja
Meti Bozi
Arjan Toska
Roland Sota (Xhepexhiu)
Alban Toska
Skënder Cani
Tomorr Buzani
Bujar Buzani
Entel Gashi