Masakra e Cërrikut, i penduari rikonfirmon: Arjan Toska ka qenë duke qëlluar
Avokatët dhe të pandehurit e masakrës së Cërrikut janë larguar dje nga salla e gjyqit, në momentin kur i penduari nisi t’u përgjigjet pyetjeve të avokatëve lidhur me ngjarjen. Disa deklarime fetare nga ana e Bujar Buzanit lidhur me besueshmërinë që duhet të ketë gjykata te fjalët e tij, kanë acaruar dhe u kanë dhënë një shkak më tepër të pandehurve të reagojnë dhe të dalin nga salla e gjyqit, duke deklaruar se “na e ka kthyer sallën e gjyqit në xhami ky duke u falur dhe lutur”. Largimi i të pandehurve dhe për pasojë edhe avokatëve të tyre solli shtyrjen e seancës dhe vazhdimin e pyetje-përgjigjeve mes avokatëve dhe të penduarit Buzani për në seancën e ardhshme. Gjatë minutave të ecurisë së procesit, i penduari u është përgjigjur disa pyetjeve, duke u qëndruar sërish besnik thënieve të disa seancave më parë, madje duke rideklaruar se një nga personat që ka parë duke qëlluar ka qenë kushëriri i tij, Arjan Toska, dhe më pas ka marrë edhe vetë një antitank për të qëlluar. “Pashë Arjan Toskën me mitraloz në dorë duke qëlluar, më pas mora edhe vetë një antitank dhe qëllova. U plagosa, pasi nuk e kisha përdorur ndonjëherë”, - u shpreh ai. Pikërisht në momentin që i penduari filloi të ripërsëriste emrat që kishte parë ditën e masakrës në Cërrik duke qëlluar, i pandehuri Toska vendosi të braktisë sallën e gjyqit, duke deklaruar se nuk mund të qëndronte për të dëgjuar lutjet fetare të Buzanit. Në të njëjtën mënyrë ka reaguar edhe i pandehuri Llazar Bicja, i cili u largua nga salla e gjyqit, duke u ndjekur edhe nga të pandehurit e tjerë.
Dëshmia e Buzanit
“U qëndroj deklarimeve që kam bërë. Personat që na mashtruan se gardistët do abuzonin me gratë, motrat dhe vajzat tona ishin Met Bozi, Llazar Bicja e Roland Xhepexhiu”, - deklaroi një seancë më parë Buzani, duke rikonfirmuar edhe njëherë ato që ka deklaruar disa seanca më parë. I penduari u shpreh se ishin mashtruar nga Met Bozi, Roland Xhepexhiu e Llazar Bicja, duke u organizuar në luftë të vërtetë kundër forcave të policisë dhe gardës, nga frika se do u bastisnin shtëpitë, përdhunonin gratë dhe motrat dhe do i vrisnin ata vetë. “Atë ditë ka qenë mëngjes, ora nuk më kujtohet dhe tek lagjja jonë kanë ardhur me një makinë Meti Bozi, Llazi Bici dhe Landi Xhepexhiu dhe na takuan. Në bisedë e sipër Meti Bozi na thotë: “Po vijnë forcat speciale nga Tirana dhe do të bëjnë kontrolle, do na vjedhin dhe do të na përdhunojnë, prandaj të ngrihemi dhe të mbrojmë shtëpitë tona”. Meti me këto fjalë iu drejtua Arjanit, pasi ai ishte si më kapoja tek ne. Arjani na thotë: “Hajdeni e shkojmë në Cërrik” dhe ne kështu vepruam, u nisën të gjithë së bashku”. Të gjitha këto motive, sipas të penduarit Buzani, kanë dalë nga goja e Roland Xhepexhiut e Met Bozit, ky i fundit në rolin e kryetarit të Komitetit të Shpëtimit Qytetar. Madje, nga i pandehuri Bozi, sipas Buzanit, personave që do luftonin kundër policisë e gardës do t’iu siguroheshin dokumente për t’u larguar drejt Amerikës. “E pranuam ofertën, pasi në Cërrik ishim në hasmëri dhe donim të largoheshim së bashku me familjen jashtë kufijve shqiptarë”, - u shpreh në sallën e gjyqit i penduari, ende pa një status konkret nga organi i akuzës, Bujar Buzani. I penduari u shpreh para gjykatës se thoshte të vërtetën dhe këtë të vërtetë e ka thënë vetëm para tyre dhe para Zotit.