E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyjet dhe kullotat

Procesi i transferimit të pyjeve komunalë po drejtohet nga MMPAU dhe po zbatohet nga shërbimi pyjor në rrethe me pjesëmarrjen edhe pse jo aktive të njësive qeverisëse vendore. Nga eksperienca është parë se menaxhimi i pyjeve nga banorët lokalë ka qenë i suksesshëm, për arsye ekonomike, ku shpenzimet e qeverisjes nga fshati janë më të vogla se ato të shtetit dhe mundësitë për mbrojtje janë më të mëdha, sepse fshatarët janë të interesuar t’i mbrojnë ato. Thimaq Lako, specialist i pyjeve në Qendrën Rajonale të Mjedisit, thotë se edhe për arsye sociale fshatarët kane qenë tradicionalisht zotërues të pyjeve pranë fshatrave që tashmë janë transferuar formalisht në përdorim, ndërkohë që gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar, shpesh këto pyje priteshin për shtylla miniere apo për furrat e bukës, ndërkohë që aktualisht fshatarët janë bindur se pylli u përket atyre dhe kjo është konfirmuar edhe me dokumente, ata bëhen edhe më të ndjeshëm për mbrojtjen e pyjeve dhe burimeve të tjera natyrore, duke pasur edhe përfitime direkte. Lako thekson se në vendin tonë popullsia rurale është rreth 54 për qind e popullsisë së përgjithshme dhe 71 për qind e popullsisë rurale është e punësuar në aktivitete bujqësore, përfshirë pyjet.
“Prona private në pyje është bërë tashmë realitet”, - thotë Lako. Sipas tij, në vendin tonë politika për menaxhimin e pyjeve private nuk është e plotë dhe procedurat për zbatimin e saj nuk ekzistojnë ende. Dispozitat ligjore nuk reflektojnë ndryshime aktuale në menaxhimin e pyjeve private. Por sipas specialistit për të përmirësuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në vend, politika pyjore duhet përmirësuar për të qenë në një hap me zhvillimet e sektorit privat.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›