Sherri për hapësirën në trotuar, vritet me thikë tregtari në qendër të Lushnjës
Një tregtar 49-vjeçar është vrarë me thikë pas një sherri për hapësirën në trotuar në qendër të qytetit të Lushnjës. Ngjarja ndodhi në pasditen e djeshme. Sipas burimeve nga policia, viktima është Artan Murai. Forcat e komisariatit të Lushnjes arrestuan autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, 60-vjeçarin Mustafa Lame, edhe ky tregtar ambulant. Sipas burimeve nga grupi hetimor, sherri midis dy personave ka nisur pas një konflikti të çastit për vendin ku shiste i dyshuari si autor dhe pasi viktima i kishte kërkuar ta ndryshonte atë.
Vrasja
Rreth orës 16:30 të ditës së djeshme, një konflikt midis dy shitësve ka ndodhur në qendër të qytetit të Lushnjës. Artan Murati, pronar i një dyqani, ka nisur të debatojë me një shitës ambulant. 49-vjeçari i kishte kërkuar këtij të fundit që të ndryshonte vendndodhjen, pasi ai po shiste përpara dyqanit të tij. Duket se 60-vjeçari, shitës ambulant, ka kundërshtuar, duke nisur kështu një sherr midis të dyve. Pas përplasjes verbale ka nisur sherri fizik. Lame ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe me të ka goditur 49-vjeçarin. Edhe pse ndaj Muratit është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar në spitalin e qytetit, ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra në trup dhe humbjes së gjakut.
Policia
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Lushnjës, të cilat identifikuan dhe më pas arrestuan autorin e dyshuar të krimit. Ndërkohë që u ngrit një grup hetimor për të hetuar shkaqet e ngjarjes, u shoqëruan në komisariat dëshmitarë të vrasjes, ndërkohë që u sekuestrua edhe arma e krimit. Policia njoftoi se “nga hetimet paraprake të kryera sherri midis të dyve ka ardhur pas një grindjeje të çastit”. 60-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit. Materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme.