Shkon e dehur në shtëpi, 29-vjeçarja vret me pistoletë nënën birësuese
Një 62-vjeçare është vrarë me pistoletë nga vajza e saj e birësuar. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në qytetin e Pogradecit. Sipas burimeve nga policia, viktima është e moshuara Shpresa Angjo. Policia vuri në pranga të dyshuarën si autore të kësaj ngjarjeje të rëndë, 29-vjeçaren Anila Angjo. Sipas burimeve nga grupi hetimor, sherri ka ardhur pas një konflikti të nisur midis nënës dhe vajzës së saj, pasi ajo ishte kthyer vonë dhe e dehur në shtëpi. Policia ka kryer më pas arrestimin e vajzës, e cila ka qenë me precedentë të tjerë penalë.
Ngjarja
Rreth orës 07:00 të mëngjesit, një sherr ka ndodhur në familjen Angjo, banuese në një pallat në lagjen “Liria” të Pogradecit. Dëshmitarë i kanë thënë policisë se “në fillim nga banesa janë dëgjuar të bërtitura, ndërsa më pas krisma pistolete”. Menjëherë ata kanë lajmëruar policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje. Agjentët kundër krimit kanë gjetur të shtrirë në tokë 62-vjeçaren Shpresa Angjo, ndërkohë që kanë ndaluar të bijën të dyshuar si autore të vrasjes. Plumbat e kishin kapur të moshuarën në gjoks, duke i shkaktuar plagë të rënda. Edhe pse ndaj saj është dhënë ndihma e parë duke e dërguar në spitalin e qytetit, viktima nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e plagëve të marra.
Hetimet
Policia mori në pyetje autoren e dyshuar të krimit, e cila sipas tyre, ka pranuar krimin dhe ka treguar për momentin e ndodhjes së vrasjes. Sipas policisë, midis nënës dhe bijës ka pasur një konflikt, pasi vajza kishte ardhur në orët e para të mëngjesit në shtëpi e dehur. Pasi ka pasur një debat midis nënës dhe bijës dhe më pas dhunë, vajza ka marrë një pistoletë, të cilën e mbante në banesë dhe ka qëlluar ndaj saj. E reja ka qenë e dehur kur ka kryer krimin. 29-vjeçarja ishte një tip problematik dhe e njohur për policinë e Pogradecit. Ajo ishte konsumuese e pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, ndërkohë që ishte akuzuar për vjedhje të shumta. 29-vjeçarja ishte adoptuar që kur ishte qenë një vjeçe nga çifti Angjo, ndërkohë që ajo ishte një tip problematik, që shpesh ushtronte dhunë ndaj prindërve të saj birësues. E reja është shoqëruar në qeli, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ajo akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”.