E Diel, 1 Nëntor 2026

Çifti gjendet i asfiksuar nga gazi i makinës

Një burrë dhe një grua janë gjetur pa jetë në sediljen e pasme të një “Audi A4” me ngjyrë zezë. Policia tha se ata ishin asfiksuar nga gazi i makinës. Trupat e dy viktimave u gjetën në mëngjesin e ditës së djeshme në periferi të Tiranës, pranë vendit të quajtur uzina “Dinamo. Sipas burimeve nga policia, viktimat ishin 58-vjeçari Luan Veizi dhe 38-vjeçarja me inicialet Daniela Sinjari, të dy banues në Tiranë. Ka qenë roja i një pallati, që ka gjetur çiftin të shtrirë në pjesën e pasme të makinës. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Nga ekspertiza e kryer nuk janë gjetur shenja dhune apo plagë arme në trup. Policia tha se dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksimit, por po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ngjarja
Rreth orës 07:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, roja i makinave në zonën e ish-uzinës “Dinamo” ka parë një makinë të parkuar tip “Audi A4”, me targa S 203 K3, brenda në një garazh, në vendin ku ai punonte. Është afruar më shumë dhe ka parë një burrë dhe një grua të shtrirë në sediljen e pasme të mjetit. Në makinë nuk ka pasur lëvizje dhe kjo ka bërë që vetë roja të njoftojë policinë. Uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje. Nga këqyrja e kryer, ata kanë vërejtur se çifti nuk jepte shenja jete. Ata janë marrë dhe janë transportuar më pas në morgun e kryeqytetit, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore dhe për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Hetimet
Pas ekspertizës mjeko-ligjore, grupi hetimor doli në përfundimin se vdekja e burrit dhe e gruas ka ardhur nga asfiksia. Çifti kishte ndenjur për shumë kohë i mbyllur me makinën ndezur. Sipas burimeve nga policia, mungesa e ajrit dhe thithja e gazit të makinës ka qenë arsyeja që i ka çuar ata drejt humbjes së jetës. Dy trupat e viktimave u gjetën në sedijen e pasme të mjetit. Hetuesit nga ekspertiza e kryer nuk gjetën shenja dhune në trup dhe plagë të tjera, edhe pse është marrë parasysh çdo pistë, dyshimet janë për një vdekje aksidentale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›