Masakra e Devollit, vdes edhe vëllai i tretë

Devoll, 30 janar, NOA Update U duk se ai pati
një fije shprese për jetën kundrejt dy vëllezërve të tij që mbetën të vdekur në
vend ndërsa u qëlluan fatalisht dje nga një ish-i dënuar.
Por ja që vdekja ka rrëmbyer sot pas një lufte
për orë të tëra edhe vëllain e tretë të së ashtuquajturës Masakra e Devollit,
e cila tronditi dje për nga përmasat gjithë opinionin publik.
Lajmi bëhet i ditur paraprakisht për agjencinë
e Lajmeve NOA nga burime spitalore, sipas të cilave 17-vjeçari Etlevan Mulliri
sapo ka ndërruar jetën pas një përleshje të mundimshme me vdekjen, në përpjekje
për ti shpëtuar asaj.
Ai ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak nga një
atak kardiak, duke mos e përballuar dot ndërhyrjen e dytë.
Ndërkaq, grupet policore vazhdojnë të jenë
ende në kërkim të autorit tashmë të identifikuar të masakrës së djeshme, i cili
është 40-vjeçari Besim Karaj, lindur në Thumanë të Krujës dhe banues në fshatin
Vidohovë të rrethit Devoll, i dënuar më parë.
E ndërsa në funeralin e dy vëllezërve të tjerë
të vrarë të Etlevanit, Taulantit dhe Xhilianit, do të ishte e pranishme edhe nëna
e tyre, e cila rezulton të jetë e dënuar në burg pasi i është dhënë leje, asaj
nuk i mbetet shpresë për të parë të gjallë të paktën djalin e saj të tretë.
n.e//NOA