Masakra e Durrësit, PS: Berisha nuk qeveris, kujdeset për oxhakun e vet
TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar sërish sot për masakrën e Durrësit, duke akuzuar qeverinë si përgjegjëse për lirimin e një numri të madh të dënuarish e kriminelësh gjatë fushatës elektorale.
Madje, sipas saj ka prova që gjatë fushatës ministrat kanë qenë të shoqëruar nga kriminelë, të cilët kanë ushtruar terror psikologjik në zonat e influencës së tyre mafioze.
Gjatë një deklarate për shtyp zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj ka pohuar se PS disponon të dhëna alarmante për fluksin e lartë të lejeve të paligjshme për kriminelë të dorës së parë në javët e fushatës. "Ne kemi të gjithë vullnetin që të kërkojmë me forcë nxjerrjen para ligjit të lejedhënësve, ndërkohë që theksojmë publikisht se vrasja e katër shërbëtorëve të pafajshëm të shtetit në detyrë nga një kriminel i shumëkërkuar që bridhte lirisht rrugëve, është shprehja më dramatike e braktisjes së detyrës nga pushteti i Sali Berishës i cili bën sikur drejton Shqipërinë po në fakt vetëm menaxhon interesa familjare e klanore, duke grabitur çdo ditë përmes vendimeve të qeverisë prona e fonde publike"- tha ajo.
Sipas saj, PS ringre me forcë çështjen e bashkëpunimit të këtij pushteti të korruptuar me krimin për të rimarrë me forcë në 28 qershor të drejtën për të sunduar, jo vetëm mbi vendin, por edhe mbi ligjin.
Partia Socialiste, sipas Imerajt bën fajtor pikërisht kreun e qeverisë për situatën ku ndodhet vendi.
"Është vrarë një deputet i opozitës në prag të fushatës dhe reagimi i pushtetit ka qenë; lirimi në masë i kriminelëve gjatë fushatës.
Janë vrarë së fundmi katër policë dhe reagimi i kryeministrit ka qenë reagimi tipik i një njeriu që përfundimisht nuk qeveris vendin e vet po vetëm i bën hyzmetin oxhakut të vet"- tha më tej ajo.