E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Durrësit, Sindikata e Policisë: Të dorëhiqet Nishani

TIRANË- Sindikata e Policisë ka kërkuar sot dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, veprim që duhet të bëhej sipas saj fill pas masakrës së Durrësit, ku 4 efektivë të policisë gjetën vdekjen në operacionin për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti.
Gjatë një prononcimi për mediat, kryetari i Sindikatës Valentin Macaj ka deklaruar se aksioni që shpuri në vrasjen e katër oficerëve të policisë në Durrës është dekonspiruar, e për këtë Nishani si kreu i dikasterit duhet të japë dorëheqjen.
"Është anashkaluar përgjegjësia e drejtuesve dhe shitja e informacionit ndaj Ministri Nishani duhet të dorëhiqet", - tha ai.
Më tej ai u ndal në problemet që shfaqen sot në forcat e policisë, ku theksoi se ka dyshime për përfshirje të policisë në grupe kriminale. Për këtë ai ka propozuar edhe ngritjen e një Task Force për të kontrolluar pasuritë e tyre.
Një ditë më parë sindikata e Policëve kerkoi rikthimin e ligjit për pensionet suplementare të policëve të rënë në krye të detyrës,
Përmes një komunikimi me media, sindikata i është drejtuar me disa kërkesa qeverisë, duke kërkuar prej saj të mbajë premtimet që bën për policinë.
"Janë gjithsej 6 policë që kanë rënë në krye të detyrës në vitin 2009, ndërsa ata ende nuk kanë përfituar siguracionin e jetës", thanë drejtues të Sindikatës
Ata kanë kërkuar shtesë page për vjetërsinë në punë edhe në radhët e efektivëve të policisë.
Apeli i sindikatës vjen një ditë pas takimit të kreut të qeverisë, Sali Berisha me drejtues të Policisë së Shtetit, ku premtoi rikthim të ligjit dhe status të ri për policët e rënë në krye të detyrës.


*****************************

12 gusht
Berisha: Lufta ndaj krimit ka një çmim. PS: Berisha liroi kriminelë për zgjedhjet


TIRANË- Pas deklaratës së kryeministrit për tolerancë zero ndaj krimit në takimin me krerët e Policisë së Shtetit ka reaguar Partia Socialiste.

"Tragjedia e Durrësit është shprehja më alarmante e kalbjes së shtetit në duart e një pushteti të korruptuar e të inkriminuar. Berisha të japë llogari për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve dhe lirimin e dhjetëra kriminelëve nga burgjet me leje të paligjshme për të ndihmuar qeverinë në një fushatë të pashembullt presionesh ndaj opozitës"- ka deklaruar sot Arta Dade nga selia e PS-së.

Sipas saj, PS-ja disponon prova dhe fakte rrëqethëse, që i janë bërë me dije partnerëve ndërkombëtarë dhe do i bëhen të ditura edhe opinionit publik shqiptar për bashkëpunimin konstant të këtij pushteti me krimin.

"Sali Berisha nuk mund të fshihet pas sakrificave të uniformave blu dhe thirrjet e tij për tolerancë zero janë pa asnjë kuptim pas bashkëpunimit të tij me të dënuar të rrezikshmërisë së lartë për ta mbajtur një pushtet që nuk buron nga vota e lirë e popullit, po nga deformimi i plotë i saj"- tha ajo.


Berisha: Lufta ndaj krimit e ka një çmim

Pesë ditë pas masakrës së Durrësit, ku mbetën të vdekur katër efektivë policie në operacion për kapjen e Dritan Dajti, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Ai ka deklaruar se do të veprohet me tolerancë zero ndaj krimit ka shprehur ngushëllimet e tij për 4 jetët e humbura në përballje me krimin dhe ka garantuar se do të bëhen të gjitha përpjekjet për pajisjen e policisë me mjetet për të ruajtur sigurinë e tyre.

"Lufta ndaj këtij fenomeni ka një çmim, por ky çmim duhet të jetë sa më i vogël"- tha Berisha gjatë takimit, duke garantuar se ligjet për luftën ndaj krimit do të rishqyrtohen.

Sipas tij, thelbësore është pajisja e policisë me çdo mjet për të ruajtur sigurinë e gjithsecilit.

Në takimin e zhvilluar ishin efektivë të policisë dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

Duke folur për arrestimin e Dritan Dajtit, kreu i qeverisë tha se asgjësimi i tij nuk u bë sepse u zbatua ligji. "Dajti ishe një rrezik për Shqipërinë dhe vendet e tjera. Ndaj bandës së tij u dëshmua tolerancë zero", tha Berisha.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›