PS: Pushteti bashkëpunon me krimin

Partia Socialiste reagoi sot për vrasjen e katër policëve gjatë operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit, Dritan Dajti. Sipas PS-së, pushteti është i lidhur me krimin për të rimarrë me forcë në 28 qershor të drejtën për të sunduar, jo vetëm mbi vendin, por edhe mbi ligjin.Sipas saj, jashtë çdo kriteri ligjor e përgjegjësie mendore pushteti i Sali Berishës ka lëshuar me leje të paligjshme nga burgjet për fushatë në favor të pushtetit një numër të konsiderueshëm vrasësish, trafikantësh e grabitësish, të cilët kanë shoqëruar ministra dhe kanë ushtruar terror psikologjik në zonat e influencës së tyre mafioze.PS lajmëron se "ne disponojmë të dhëna alarmante për fluksin e lartë të lejeve të paligjshme për kriminelë të dorës së parë në javët e fushatës dhe kemi të gjithë vullnetin që të kërkojmë me forcë nxjerrjen para ligjit të lejedhënësve". "Ndërkohë theksojmë publikisht", - vijoi Imeraj, - "se vrasja e katër shërbëtorëve të pafajshëm të shtetit në detyrë nga një kriminel i shumëkërkuar që bridhte lirisht rrugëve, është shprehja më dramatike e braktisjes së detyrës nga pushteti i Sali Berishës i cili bën sikur drejton Shqipërinë po në fakt vetëm menaxhon interesa familjare e klanore, duke grabitur çdo ditë përmes vendimeve të qeverisë prona e fonde publike".