E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Lushnjes gjen dy parcela me kanabis 5 metra të lartë

Në Parkun Kombëtar të Pyllit të Gjenerukës në Komunën e Gradishtës, forcat e antidrogës kanë arritur të zbulojnë një sipërfaqje të mbjellë me kanabis sativa. Bimët narkotike ishin të fshehura në mes të pyllit në një zonë thuajse të pashkelur nga njerëzit. Dy parcela një dynymëshe mbanin rreth 620 rrënjë. Autorët ende të paidentifikuar, kishin përdorur një teknologji të lartë mbjelljeje. Çdo rrënjë ujitej me sistem pikash vaditjeje dhe çdo bimë ishte e lidhur nga tre herë. Lartësia e tyre i kalonte pesë metra aq sa të krijohej përshtypja se ishte një pyll tjetër së bashku me pishat e Gjenerukës. Një sistem i tillë vaditës kish bërë që bimët narkotike të ishin tepër të shëndetshme dhe sipas policisë, duhej të paktën dhe dy javë që prodhimi të vilej i gjithë për t’u tregtuar më pas. Sipas policisë në Qarkun e Fierit, një zbulim i tillë i sipërfaqjeve të mbjella me kanabis në rrethin e Lushnjes, kishte mëse pesë vjet që nuk ishte kapur. Sipas antidrogës, janë shoqëruar për në Komisariatin e policisë së Lushnjes mbi 10 persona të dyshuar, ndërsa do të merren në pyetje kryetari i Komunes Gradisht, kryeplaku i zonës dhe Drejtori i Pyjores.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›