Masakra e Durrësit, ekzekutori u identifikua nga deshmitaret
DURRES- Zbardhen detaje të reja mbi hetimin e masakrës së ndodhur në mbrëmjen e 27 janarit në qytetin e Durrësit. 35 vjecari Arjan Celaj, i cili u arrestua dje në Vlorë, si i dyshuar si autor i vrasjes së Luan Currit, Andi Currit dhe Edmond Shemsit i është nënshtruar analizave papilare. Gjurmët e gishtave të tij janë gjetur në motorin të cilin policia gjeti të braktisur një ditë pas vrasjes. Për policinë nuk ka dyshime se motori Yamaha, i gjetur në lagjen 16, është pikërisht mjeti i transportit me të cilin kanë lëvizur autori i krimit dhe bashkëpunëtori i tij.Motori rezultonte i denoncuar si i vjedhur disa kohë më parë, ndërsa pronari i tij gjendej në Itali. Sipas policisë, aparati saktësoi se gjurmët e gishtave të gjetura në llamarinën e motorit përputheshin me ato të çelajt. Ai përdorte dy emra, Arjan dhe Edison. Dy dëshmitarë të ngjarjes u thirrën në mjediset e policisë ku ju nënshtruan procedurës së përnjohjes. Njëri prej dëshmitarëve (ndër 5 persona të ekspozuar pas xhamit special), e drejtoi gishtin për nga 35- vjeçari. Mësohet se çelaj e ka mohuar autorësinë e vrasjeve, dhe përpara hetuesve është përpjekur që të krijojë alibi sipas të cilës, mbrëmjen e së mërkurës ka qenë në Vlorë. Por, sipas policisë, në rrëfimin e atij ka shenja konfuzioni. Ndërkohë, mbetet ende i paqartë se cili ka qenë objektivi i armës së 35-vjeçarit dhe motivi i vrasjes së trefishtë. Nuk dihet ende motivi i vrasjes, por vlonjati i dyshuar mësohet të ketë pas precedent penal të mëparshëm në shtetin italian. Ai ka qenë dënuar në këtë shtet për disa vepra penale, mes të cilave trafik droge, prostitucion, vrasjen e një shtetasi italian, për të cilat ka kryer dhe 5 vite burg. Por ka dalë pa e përfunduar dënimin për mungesë provash dhe është riatdhesuar. Policia ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin. (s.g/BalkanWeb)