Hetimi, Elton Deliu u kërcënua disa herë para vrasjes
Elton Deliu ka marrë kërcënime të ndryshme para ekzekutimit. Por, sipas hetimeve, asnjëherë viktima nuk i është drejtuar policisë apo organit të akuzës me ndonjë kallëzim penal për emra konkretë personash. Fakte të tilla kanë dalë në dritë pas ekzekutimit, gjatë marrjes në pyetje të grupit shoqëror të 32-vjeçarit, badigardëve të tij, të cilët e kanë shoqëruar më parë apo dhe para se të vritej. Numri i personave të pyetur i ka kaluar të 100 vetët, ku përfshihen të afërm, shoqëri apo dhe të dyshuar për konflikte me të riun. “Gjatë marrjes në pyetje të personave të ndryshëm të grupit shoqëror të Deliut, ka rezultuar se shpesh ka marrë kërcënime nga persona, për të cilët nuk mund të flasim, por që nuk rezulton të ketë bërë asnjë kallëzim penal pranë organit të akuzës apo dhe policisë. Ndoshta për ego, ndoshta sepse ka menduar t’i zgjidhë vetë problemet. Shpesh rezulton të ketë pasur edhe përplasje me armë me të tjerë persona, por sërish rezulton që Deliu të mos i jetë drejtuar organeve kompetente me kallëzim penal. Për sa kohë nuk ka prova, nuk mund të ngrihet një akuzë për një person apo grup personash vetëm nga deklarimet e shokëve të Deliut”, - shprehen burime nga grupi hetimor, që është duke hetuar për zbardhjen e kësaj çështjeje. Megjithatë, hetimet vazhdojnë dhe do duhet kohë për gjetjen e provave të reja, për sa kohë ekzekutori apo ekzekutorët kanë arritur të marrin në kohë kasetën me filmimet në pallat dhe banesën e Deliut. Viktima prej vitesh kishte shoqërues që siguronin jetën e tij, pas dy atentateve dhe kërcënimeve të shpeshta përmes telefonatave. Madje, lëvizjet e tij kanë qenë të kontrolluara dhe me makina të blinduara. Krimi i rëndë ndodhi disa ditë para festave të fundvitit, ku mbetën të vdekur ai dhe nëna e tij, Flutura Deliu. Ngjarja ka ndodhur në apartamentin e tyre pranë Fakultetit të Drejtësisë, ndërkohë që ekzekutimi mësohet të jetë bërë me silenciator. Pas vrasjes, ekzekutori ka marrë kasetën ku regjistroheshin filmimet për hyrje-daljet në pallat dhe banesën e Deliut.