E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e TivaritRuci: Përgjegjësitti gjejë Kosova

TIRANë- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci kundërshtoi sot në Kuvend ngritjen e komisionit hetimor për masakrën e Tivarit, duke kërkuar që për këtë ngjarje të hetojë shteti i ri i Kosovës.

Para votimit në parlament të projekt/vendimit për ngritjen e një komisioni hetimor, që do të punojë për zbardhjen e kësaj ngjarje tragjike të ndodhur në vitin 1945, deputeti Ruçi në emër të grupit të PS-së, tha se 'objekt i hetimit nga komisioni do jetë një ngjarje e ndodhur në një vend që nuk i përket territorit të Republikës së Shqipërisë".

"Bashkëkombasit tanë më së fundi kanë një shtet të tyre, në të cilin kanë gjithë sovranitetin të organizojnë dhe të ndërmarrin nisma dhe të vendosin për fatin e shtetasve të tyre, qoftë për historitë e vjetra, apo për ato të reja. Ju kërkoj të mos bëni politikë me jetën e të masakruarve të kombit tonë", deklaroi Ruçi.

Ai kërkoi që t'i dalim për zot territorit që mbulon shteti shqiptar dhe jo territorit të një shteti tjetër dhe të kontribuojmë ne nënshtetasit shqiptarë që të respektojmë shtetin e ri kosovar, që tashmë është një realitet, për t'u dhënë përgjigje të gjitha problemeve të nënshtetasve të vjetër ose të rinj.

Ndërkaq në reagim të qëndrimit kundërshtues të opozitës kryeparlamentarja Topalli, duke iu drejtuar deputetëve socialistë tha se "ishte rasti për të mos u ndarë, për të hetuar mbi dyshimet që bien mbi Ramiz Alinë dhe miqtë e tij të asaj periudhe. është rasti për të hetuar mbi një ngjarje, për të cilën do të ketë përgjegjësi kombëtare. Nuk dimë se sa materiale dhe mundësi do të kemi, por i rëndësishëm është vullneti".

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi tha se "Partia Socialiste do të kishte një rast të artë për të bërë një distancim nga e shkuara, por për fat të keq e humbi shansin. Sot ne më tepër se kurrë duhet të ishim të bashkuar se Tivari është një nga ngjarjet më dramatike të historisë sonë kombëtare, për të cilën është e pamohueshme dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar të atëhershëm".

Pas deklarimit të qëndrimit të grupit parlamentar socialist për ngritjen e këtij komisioni hetimor, deputetët e opozitës u larguan nga salla e Kuvendit, duke bojkotuar edhe votimin e projektligjeve të parashikuara në seancën e sotme.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›