E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra me 4 viktima e Bushatit, ekstradohet Lika nga Italia

Tiranë, 12 dhjetor 11:52 NOA – Masakra e Bushatit ku dy persona gjetën vdekjen dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, ka tashmë në qelitë shqiptare autorin e dënuar të saj.

Burime zyrtare nga zyra qendrore kombëtare Interpol Tirana bënë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA se sot u krye ekstradimi nga Roma e Italisë drejt Shqiperisë i 65-vjeçarit Selman Lika, lindur në Bushat, Shkodër.

Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin numër 157, datë 17 maj 2000, e ka dënuar 65-vjeçarin Selman Lika me 25 vjet heqje lirie, për veprën penale të “Vrasjes me dashje (dy herë)”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ky vendim ka marrë formë të prerë më datë 27.05.2000, dhe më datë 13.06.2000, është nxjerrë urdhri i Prokurorit për ekzekutimin e vendimit.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 28 shkurt 1998, në lagjen “Likaj”, të fshatit Bushat, në rrethin e Shkodrës.

Atë ditë, Selman Lika në atë kohë 55 vjeçar, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Tofik Lika dhe Abdulla Lika, si dhe ka plagosur Dritan Lika dhe Bledar Lika. Ngjarja ka ndodhur gjatë një grindjeje, të filluar për shkak të një konflikti pronësie.

Lidhur me ekstradimin, policia tha se ai u krye në bazë të Konventës Evropiane të Ekstradimit. Në aeroportin e Rinasit i moshuari i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

a.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›