Komisioni për reformën zgjedhore, shtyhet mandati
Bashkëkryetari i komisionit për zgjedhjet, Xhafaj, flet për koalicionet dhe përfshirjen e përqindjes së grave në Kod
TIRANË- Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore nuk arrin dot të përfundojë brenda mandatit të tij rishikimin e gjithë Kodit Zgjedhor. Ka qenë bashkëkryetari socialist e këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, ai që ka konfirmuar dje pamundësinë për të realizuar gjithë ndryshimet në Kod brenda muajit shtator, duke lënë të kuptohet qartë se pritet që t’i kërkohet Kuvendit që të shtyjë edhe për një afat tjetër mandatin e tij. “Ky nuk është lajm i mirë pasi 30 shtatorin nuk e kapim, duhet të jemi të hapur, nuk ka arsye pse të mos e themi. Ne bëmë të gjitha përpjekjet, është bërë një punë shumë e konsiderueshme nga grupi i ekspertëve, komisioni ka kaluar mbi 60-7- nene, gjë që është pozitive, ka qenë një volum pune i konsiderueshëm, për shkak të faktit se ka pasur disa debate mes ekspertëve për ta pajtuar më mirë me frymën e kushtetutës”, - u shpreh dje pas mbledhjes së radhës së Komisionit të Reformës zgjedhore bashkëkryetari i tij Fatmir Xhafaj. Ndërkohë që kjo shtyrje nga ana tjetër pritet të sjellë si rrjedhojë dhe kufizimin afateve që parashikon vetë Kodi Zgjedhor për realizimin e një sërë procesesh siç janë publikimi i listave paraprake dhe përfundimtare të zgjedhësve, regjistrimi i partive, kandidatëve, komisionerëve etj. Pra ndryshe nga sa parashikohet në ligjin aktual zgjedhor, në kodin e ardhshëm pritet të reduktohet afati minimal i publikimit të listave paraprake nga gjashtë muaj që është aktualisht në një afat kohore më të kufizuar dhe kjo për të vetmen arsye që vonesat e shfaqura në përgatitjen e ligjit dhe realizimit të infrastrukturës zgjedhore të mos bëjnë antiligjore procesin e publikimit të listave. Ndërkohë që në nenet e miratuara dje nga komisioni kanë filluar të kufizohet afati i disa procedurave të tjera, siç është rasti i regjistrimit të partive në KQZ ku nga 50 ditë që ka qenë më parë është bërë 45 ditë, apo edhe afati i dorëzimit të listave të kandidatëve nga 45 ditë është bërë 40 ditë. Reduktimin e afateve në kod e ka pranuar edhe bashkëkryetari socialistë Fatmir Xhafaj i cili ka theksuar se komisioni do të shfrytëzojë ndërhyrjen në kod në mënyrë që të vendosë afate të reja ligjore për t’i bërë afate të kapshme edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në muajin Qershor. “Ne jemi duke bërë një kod dhe natyrisht do kemi mundësinë aty të shikojmë të gjitha afatet që ato të korrespondojnë me afatin përfundimtar që është data e zgjedhjeve dhe angazhimet që lidhen me këtë datë zgjedhjesh”, - tha Xhafaj. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme pavarësisht debateve, komisioni ka miratuar një kapitull të rëndësishëm që ka të bëjë me koalicionet dhe listat e kandidatëve për deputet. Kështu, pas një debati të gjatë të zhvilluar në distancë mes partive politike, është miratuar koalicioni i përbërë si një nga dy mundësitë që një forcë politike mund të zgjedhë për të garuar në zgjedhjet e ardhshme. Një ndryshim tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe ai për sanksionimin në ligj të detyrimit që një koalicion mund të jetë vetëm kombëtar dhe jo rajonal. Komisioni ka miratuar edhe propozimin e nënkomisionit për Barazinë Gjinore për të përfshirë 30 për qind gra në listat e kandidatëve për deputet sipas një formule ku në çdo 3 kandidatë të jetë një femër. Në ndryshim nga drafti i paraqitur nga grupi i ekspertëve, komisioni ka përfshirë në kod dhe një pikë të veçantë ku përcakton se të gjitha ato forca që nuk respektojnë kërkesat e ligjit për pjesëmarrjen e grave nuk do të pranohen nga KQZ.