Masakra në Rumani, studenti shqiptar nën hetim në Shqipëri
Prokuroria e Tiranës i kërkon drejtësisë rumune materialet hetimore në lidhje me masakrën e "Konstancës" në vitin 2004, ku u ekzekutua një familje dhe të dyshuar ishin dy shtetas shqiptarë. Pesë vjet nga ngjarja e rëndë, hetuesit shqiptarë kanë filluar hetimet ndaj ish-studentit Albion Todri, i cili banon në Tiranë. Hetimet kanë filluar në bazë të kërkesave të shumta të palës rumune, ndërsa këto ditë pritet që në Gjykatën dhe Prokurorinë e qytetit të Konstancës të niset një letër-porosi për dosjen. Albion Todri, nga Berati, ish-student në Rumani, është kërkuar nga Gjykata e Konstancës si i pandehur në procesin gjyqësor që po zhvillohet për vrasjen e tre anëtarëve të familjes rumune, në shtator të vitit 2004. Por mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi ka realizuar ngecjen e depërtimit të tij, ndërsa autoritetet shqiptare presin dosjen rumune për vazhdimin e hetimeve ndaj ish-studentit në Shqipëri. Ngjarja për të cilën akuzohet Todri ka ndodhur më 29 shtator 2004, kur tre anëtarë të familjes Ion u ekzekutuan në mënyrë brutale. Kryefamiljari Aleksandër, gruaja e tij, Lukrezia, dhe vajza e vogël e tyre, vetëm 8 vjeçe, Amelia, janë vrarë me paramendim. Vajza e vogël Amelia dhe nëna e saj Lukrezia u vranë duke i mbytur (dyshohet se Lukrezia është varrosur e gjallë), ndërsa kryefamiljari Aleksandër Ton është therur në fyt. Tri kufomat janë varrosur nga vrasësit në vende të ndryshme, duke vështirësuar gjetjen e tyre nga policia. Për tre muaj familja Ion u shpall e zhdukur por më pas, sektori i krimit të organizuar i policisë së Konstancës arrestoi si të dyshuar për autorësinë e ngjarjes dy studentët shqiptarë, Blenis Shyti dhe Albion Todri, si dhe mikun e tyre rumun, Stefan Nikuleskun. Ky i fundit ishte nipi i kryefamiljarit Aleksandër Ion, që është prerë me thikë në qafë, duke gjetur vdekjen në sytë e vajzës dhe gruas së tij brenda në shtëpi. Sipas hetimeve të policisë rumune, shkaku i ngjarjes dyshohet se ka qenë një mosmarrëveshje droge midis viktimës, Aleksandër Ion dhe studentit shqiptar, Blenis Shyti dhe Stefanit, mikut të tij rumun. s.çobo