Prokuroria, kontroll në banesat e të arrestuarve
Gjykata e Tiranës i ka dhënë leje prokurorisë të kryejë kontrolle në disa zyra, ku dyshohet se arrihej të falsifikohej materiale ndërtimi. Operacioni i policisë, i koduar me emrin "Stuko", ka arritur të zbulojë personat që merreshin me këto falsifikime, ndërsa gjykata ka lejuar prokurorinë që të kryejë kontrolle dhe të gjejë prova që implikojnë të ndaluarit Avni Barjaktari, 45 vjeç, Arjan Kona 38 vjeç, Agron Ramlli, 46 vjeç, dhe Aurel Çezma 34 vjeç. Përkatësisht prokuroria ka kryer kontroll në vendin e quajtur "Rruga Ura", Tiranë, në afërsi të një pike të shitjes së karburanteve, e cila zotërohet nga shtetasi i quajtur Avni Bajraktari. Vendi i dytë ku kanë kontrolluar prokurorët ka qenë në rrugën e "Barrikadave", përballë shkollës "Sami Frashëri", Tiranë, ndërsa vendi i tretë në afërsi të shkollës së mesme "Ibrahim Rugova", Kamëz, Tiranë. Nisur nga fakti se, edhe pas komunikimit me këta dy persona, produktet e falsifikuara të shoqërisë "Ital Col" vazhdonin të qarkullonin, shtetasi Ruslland Xhabija ka depozituar kallëzim, duke kërkuar ndjekjen penale të këtyre shtetasve. Me qëllim zbardhjen e rrethanave të hetimit dhe zbulimin e autorëve, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka autorizuar policinë gjyqësore të realizojë blerjen e simuluar të produkteve të dyshuara si të falsifikuara, të shoqërisë "Ital Col", në disa pika të ndryshme të tregtimit të tyre, në Tiranë. Prokuroria e Tiranës pretendonte se, në këto pika tregtimi të materialeve të ndërtimit, nga personat të cilët ushtrojnë aktivitet tregtar, tregtohen produkte ndërtimi të falsifikuara.