E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri- Mali i Zi, marrëveshje për bashkëpunim hekurudhor

Tiranë- Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi në sektorin hekurudhor.

Në sajë të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe homologu i tij malazez, Andrija Lompar, synohet ndërtimi i një nënstatcioni të përbashkët në Tuzë të Malit të Zi.

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Transpoteve, Olldashi e konsideroi këtë marrëveshje mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, duke patur parasysh se e vetmja lidhje ndërkombëtare e Hekurudhës Shqiptare është ajo përmes Malit të Zi.

Përmes vendit fqinj, në intinerarin Elbasan-Durres-Bajzë-Tuz, Hekurudha Shqiptare kryen një volum shkëmbimesh prej rreth 300 mijë ton, sasi kjo që e bën aksin hekurudhor Vorë-Bajzë, aksin më rentable nga pikëpamja ekonomike.

Në takimin e tyre, ministrat Olldashi dhe Lompar kanë diskutuar edhe idenë e ngritjes së një grupi të përbashkët, me përfaqësues nga institucione të ndryshme prej Shqipërisë dhe Malit të Zi, për adresimin e problemeve të Liqenit të Shkodrës dhe thellimit të mundshëm të shtratit të lumit Buna dhe të liqenit në itinerarin ujor Shkodër- Virpazar.

Të dy palët kanë rënë dakord të përshpejtojnë ritmet e punimeve në asket rrugore Hot-Tamarë-Vermosh në territorin Shqiptar dhe Plavë-Guci në territorin malazez, duke i dhënë kësaj rruge një karakter ndërshtetëror, pasi pritet që në përfundim ajo të jetë aksi më i shkurtër për të lidhur zonat e Plavës dhe Gucisë, përmes territorit shqiptar, me Podgoricën.

/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›