E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në Vlorë, shoqërohen 2 të dyshuar, babai i 17-vjeçarit: S’ngatërrohej me askënd

VLORE - Forcat Renea kanë shoqëruar mëngjesin e sotëm dy persona të dyshuar si autorë të masakrës së një dite më parë, në një resort turistik në Vlorë. Momentalisht nuk bëhet i ditur identiteti i të dyshuarve, ndërsa policia ka marrë në pyetje edhe dy persona të afërt me njërin prej viktimave, Sokol Isufaj, i cili mendohet se ka qenë objektivi i atentatit. Mësohet se të afërmit e Isufajt janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë. Në orën 14:00 pritet të bëhet ceremonia e varrimit të Sokol Isufajt.

NGJARJA
Tre persona janë ekzekutuar dje në një resort turistik në bregdetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në plazhin e kalasë pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, në një zonë të mbipopulluar nga pushuesit. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës, pohojnë se kanë mbetur të vrarë Sokol Isufaj, 34 vjeç, nga Kurjani i Roskovecit, Diana Ademi, 53 vjeçe, nga Vlora, dhe Serdi Bajlozi, 17 vjeç, nga Prrenjasi. Gjithashtu, nga breshëria e automatikut ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër. Sipas policisë, 3 viktimat nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, madje pohohet se shënjestra ka qenë 35-vjeçari Isufaj, ndërsa gruaja dhe minoreni kanë qenë pushues. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se autori ka ardhur me një makine dhe që nga shkallët ka nxjerrë kallashnikovin duke shtënë disa herë e më pas është larguar me shpejtësi. Autori është përshkruar nga dëshmitarët si një i ri rreth 25 vjeç, ezmer e me flokë të shkurta. Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se 3 persona të dyshuar janë shpallur në kërkim, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur. 

Babai i 17-vjeçarit: S’ngatërrohej me askënd
Agron Bajlozit, babait të 17-vjeçarit Serdi Bajlozi nuk i treguan se djali i kishte vdekur, por se ishte në gjendje të rëndë. Ka udhëtuar nga Prrenjasi me urgjencë, por kur mbërriti në spitalin e Vlorës, mjekët i dhanë lajmin e rëndë: djali i tij i vetëm kishte vdekur. Kishte mbetur i vrarë aksidentalisht nga një dorë makabre, ndërsa ishte me pushimet verore. Kuja e nënës dhe lotët e babait të Serdit 17-vjeçar drodhën muret e vjetra të spitalit, ndërsa kërkonin me ngulm të shihnin trupin e fëmijës së tyre. Minoreni ishte një prej 3 personave që mbetën të vrarë gjatë sulmit me kallash, nga një person ende i paidentifikuar nga policia. Me gjithë dhimbjen e madhe, Agron Bajlozi gjen forcë dhe tregon për “Gazetën Shqiptare”, fjalët e fundit të djalit të tij Serdit dhe dyshimet, pasi pa trupin e të birit, se atij mund t’i jetë marrë veshka.
Z. Agron, kur e morët vesh lajmin?
Dëgjova në televizor se në një plazh të Vlorës ishte vrarë dikush dhe pas disa minutash më telefonojnë nga Vlora dhe më thonë se Serdi ishte plagosur rëndë. Menjëherë jam nisur për në qytetin e Vlorës së bashku me gruan. Edhe pse njerëzit më thoshin që vetëm është plagosur, e parandieja se kishte ndodhur diçka e keqe. Më pas, kur mbërrita këtu mora vesh gjithçka.
Djali, çfarë bënte në Vlorë?
Kishte ardhur me pushime së bashku me motrën e tij dhe në momentin që ndodhi ngjarja kishte shkuar te Keli, kushëriri i tij që punonte atje.
Ju kishte thënë djali për ndonjë debat që mund të ketë pasur?
Jo, nuk më kishte thënë për asnjë debat dhe me sa më thanë nuk kishte pasur as atë ditë debate me njeri.
Çfarë ju ka thënë kur keni folur për herë të fundit?
Më kërkoi një telefon Iphone dhe i thashë që, “do të ta blejë babi”, por tashmë nuk ia plotësoj dot më këtë dëshirë (qan).
Djali, kishte mbërritur i pajetë në spital?
Me aq sa më thanë, goditja kishte qenë fatale. Plumbi e kishte kapur në kokë dhe i kishte marrë jetën. Pashë që kishte dhe një shenjë në pjesën e barkut dhe fillimisht dyshova se mund t’i ishte marrë veshka. Më pas kam folur me prokurorin dhe më sqaruan se aty ishte marrë vetëm gjak për analizat.
Mendoni se objektivi i këtij sulmi me armë ishte djali juaj?
Absolutisht jo! Djali im nuk ngatërrohej me askënd. Ishte një djalë që do të donin ta kishin të gjithë. Ishte i rregullt, i edukuar, i sjellshëm. Seldi ishte një djalë jo vetëm i komunikueshëm, por donte që t’i ndihmonte gjithmonë të tjerët. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Masakra në Vlorë, dëshmia e 16-vjeçares: U përpoqa të shpëtoja viktimat NGJARJA 28 KORRIK/ Masakër në resortin turistik në Vlorë, 3 të vdekur. Policia: Ja dy pistat e hetimit VIDEO: Masakër në resortin turistik në Vlorë, 3 të vdekur VIDEO: Babai i 17-vjecarit: Dyshova se i kishin marrë veshkën, më thanë që i morën gjak FOTO: Terror në Vlorë, vriten 3 persona

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›