E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, dasmorët e dehur dhunojnë mjekët e urgjencës, protestojnë bluzat e bardha

KORCE - Të paktën 5 mjekë dhe infermierë të spitalit rajonal në Korçë janë dhunuar mëngjesin e kësaj të hëne nga dy persona që janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Rasti i paprecedent është regjistruar në repartin e Urgjencës në Korçë, ku stafi i mjekëve është përballur me agresorët e dehur, të cilët ktheheshin nga një dasmë.

Mësohet se dy persona janë paraqitur në repartin e Urgjencës rreth orës 04:30 të mëngjesit të sotëm dhe kanë kërkuar fillimisht ndihmë mjekësore, por më pas për arsye të paqarta kanë goditur me shkelma dhe grushte bluzat e bardha, duke mos kursyer edhe dëmtimin e disa pajisjeve. Mjekët e urgjencës të spitalit të Korçës thonë se janë kërcënuar edhe me jetë nga agresorët. Ngjarja ka terrorizuar edhe pacientët e shtruar në këtë repart si dhe të afërmit e tyre.

Pas denoncimit të bërë nga mjekët e spitalit të Korçës, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka mundur të shoqërojë dy nga agresorët ndërsa po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. 

Bluzat e bardha protestë kundër dhunës
Mjekët e spitalit rajonal të Korçës, e kanë nisur punën e tyre të përditshme me një protestë kundër dhunës, që dy persona të dehur kanë ushtruar ndaj kolegëve të tyre.

Protesta zgjati 30 minuta para ambienteve të spitalit, duke ndërprerë çdo shërbim dhe punë në spital. Ndërkohë, që bluzat e bardha shprehën shqetësimin për rrezikun që i kanoset sidomos mjekëve të turnit të emergjencës.

Policia e Korçës sqaron rrethanat e ngjarjes:
“Ditën e sotme , rreth orës 04.30 në spitalin civil të qytetit të Korçës, kanë shkuar për të marrë ndihmën mjekësore shtetasit:
1. Jorgo Panajot Binjaku, 36 vjeç, lindur në fshatin Lavdar dhe banues në fshatin Ravonik të rrethit të Korçës,
2. Gëzim Kristo Shaho, 35 vjeç, lindur e banues në fshatin Turan të rrethit të Korçës,
Sipas deklarimet te punonjësve të spitalit, me mbërritjen e këtyre shtetasve nga personeli mjekësor ju është dhënë ndihma e parë mjekësore, por ato duke qenë nën efektin e alkoolit, fillimisht janë konfliktuar me njëri tjetrin dhe më pas kanë filluar të konfliktohen me personelin mjekësor D.R. 27 vjeç dhe F.M. 32 vjeç, te cilët i kanë kapur nga duart dhe i kanë shtyrë, si dhe kanë rrëzuar mbajtëset e serumeve dhe kane përplasur krevatet e urgjencës.
Në këto momente nga urgjenca e spitalit civil të Korçës është njoftuar Salla Operative e DPQ Korçë, e cila menjëherë ka marrë masat duke dërguar shërbimet e policisë. Me vajtjen e shërbimeve, konflikti është shuar dhe personat e sipërpërmendur janë shoqëruar në ambientet e policisë. Për këtë ngjarje të ndodhur nga DPQ Korçë është ngritur grupi hetimor dhe po vazhdon puna për kryerjen e veprimeve te plota proceduriale.” 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›