E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra, viktima i veshur me “Armani”

Një krim i sofistikuar deri në përmasat e ekzekutimit mafioz, duket se qëndron pas kufomës pa emër që u gjet tri ditë më parë në afërsi të zonës së "Tri Urave" në Lushnjë. 

Hetimet e para, sipas Prokurorisë së Lushnjës, ngrenë dyshime se vrasja e viktimës ka ndodhur në një zonë tjetër dhe më pas kufoma e djegur është transportuar e hedhur në rrugën rurale të fshatit Grabian. Pista që po hetohet nisur nga masakrimi i kufomës, është një hakmarrje e mundshme për krime të ndodhura më parë, ose për larje hesapesh në çështje borxhesh apo çështje të tjera që bien në kundërshtim me ligjin. Hakmarrja është ngritur si pistë për shkak të dyshimeve se viktima besohet të jetë emigrant, ndërsa ekzekutimi ka ndodhur siç dyshohet, pas kthimit të tij në atdhe. Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të ndihmojnë identifikimin e kufomës së djegur, e cila u gjet të enjten në vendin e quajtur "Tri Urat" pranë fshatit Grabian të Lushnjës. Gjurmët e goditjeve me mjete të forta si dhe përshkrime të përgjithshme për moshën dhe veshjen e viktimës, kanë qenë gjithçka ka mundur të zbulojë policia gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes. Kufoma e viktimës, sipas hetuesve, është në gjendje të dekompozuar prej djegies, e cila ka vështirësuar identifikimin e tij. Sipas të dhënave të bëra dje publike nga Policia e Shtetit, mësohet se viktima e krimit misterioz është mashkull, që i përket moshës 18-25 vjeç, me gjatësi trupore 1.68 cm, me flokë ngjyrë të zezë të qethur shkurt e të lyer me xhel si dhe me sy bojëqielli. Sipas policisë, në kohën kur është vrarë, viktima mbante të veshur një bluzë të zezë me mbishkrimin "Empori-Armani", pantallona treçerekëshe doku me ngjyrë bezhë si dhe atlete me ngjyrë gri me mbishkrimin "Nike". Duke iu referuar këtyre përshkrimeve mbi viktimën e krimit misterioz, policia kërkoi që çdo qytetar që ka dijeni për të dhëna mbi identitetin e të vrarit apo mbi rrethanat e tij, të telefonojnë në numrin pa pagesë të organeve të rendit 129. Sipas hetimeve të policisë, rezulton se viktima është qëlluar me mjete të forta, çka besohet t'i ketë shkaktuar vdekjen e më pas në këtë gjendje, kufoma është djegur siç duket për të humbur gjurmët.             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›