E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Aplikime për pasaporta edhe të dielën

TIRANE - Numri i kërkesave për pajisje me pasaportë në policinë e Tiranës ka pësuar një rritje të dukshme kohët e fundit. 

Sezoni i pushimeve verore është bërë shkak për rritjen e numrit të qytetarëve, që paraqiten në polici dhe kërkojnë pajisjen me pasaportë, ose rinovimin e afatit të pasaportave aktuale me qëllim udhëtimin jashtë vendit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës konfirmuan dje se për të përballur fluksin në rritje të kërkesave për pajisje me pasaportë, është vendosur të shkurtohen procedurat, ku afati më i shkurtër për pajisje me këtë dokument është jo më pak se tre ditë në rastet urgjente. "Strukturat e policisë kanë marrë udhëzimet përkatëse, për menaxhimin sa më mirë të prodhimit në kohë të pasaportave, duke përballuar aktualisht fluksin e kërkesave në rritje për pasaporta", thanë burimet zyrtare nga policia e Tiranës. Sipas tyre, masat e fundit janë marrë me qëllim përballimin në kohë të nevojave të shtetasve shqiptarë, të cilët kanë emergjenca shëndetësore, për të udhëtuar jashtë shtetit, për studentë, biznesmenë, turizëm, (ku afati për emergjencë është më pak se 3 ditë dhe duhet të paraqitet një dokument, që vërteton shkakun e lëvizjes së personit aplikant). Policia e kryeqytetit, theksoi se: Pasaportat aktuale, bazuar në "ligjin e pasaportave", mund të shtyhen vetëm një herë me një afat 1-vjeçar, në kohën kur ka ngelur jo më shumë se 6-muaj nga afati i skadimit të dokumentit. Policia e Tiranës, garantoi gjithashtu se do të ketë lehtësira të ndjeshme edhe ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët vijnë në vendin e tyre me rastin e pushimeve verore, duke e prodhuar pasaportën me një afat të shpejtë prej jo më shumë se 5 (pesë) ditësh. "Në këtë kontekst, bëjmë me dije se ditën e djeshme pranë sporteleve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës aktualisht janë prodhuar datat e aplikimit 4 gusht 2008", tha policia. Sipas saj, për t`iu ofruar një shërbim të shpejtë dhe të përditshëm qytetarëve, sportelet e aplikimit dhe të shpërndarjes së pasaportave në Tiranë dhe në Kavajë, do të jenë të hapura edhe në ditët e diela të muajit gusht, duke filluar nga ora 09.00 deri në orën 12.00, ku qytetarët mund të aplikojnë për pasaportë brenda këtij harku kohor. Policia theksoi më tej se, aplikimet për pasaporta do të bëhen çdo ditë nga e hëna në të premte prej orës 08:00 deri në orën 14:30, ditët e shtuna nga ora 08:00 deri në 13:00, ndërsa nga ora 09:00 deri në 12:00 për ditët e diela, pranë komisariateve të policisë Nr. 1,2,3,4,5,6 dhe Kavajë. re.kr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›