E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentojnë të përdhunojnë mësuesen

Dy adoleshentë nga fshati Lapardha në Berat tentojnë të përdhunojnë mësuesen e tyre. 

BERAT / DILAVER XHELILI

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:00, kur M.S., dhe A.G., përkatësisht 16 dhe 17 vjeç dhunuan mësuesen e tyre të letërsisë në tentativë për ta përdhunuar. Dy djemtë e gjimnazit të këtij fshati, duket se e kishin kurdisur me kohë idenë e "çmendur", që ata të kryenin marrëdhënie seksuale me mësuesen, që gjatë vitit akademik u kishte dhënë atyre lëndën e letërsisë. Z. Goxha, banore e të njëjtit fshat me agresorët, është sulmuar në një kthesë, ndërsa gjimnazistët e prisnin të dy së bashku me një biçikletë. Mësuesja 24-vjeçare ka përshëndetur dy nxënësit e saj, kur është ndeshur me ta dhe më pas ka tentuar të vijojë rrugën. Por nxënësit e vitit të dytë dhe të tretë të gjimnazit të Lapardhasë, i kanë shprehur asaj simpatinë dhe dëshirën për të kryer marrëdhënie me të. Kur adoleshentët kanë parë se mësuesja nuk kishte ndërmend as t'u kthente përgjigje, ata e kanë sulmuar. Mësuesja është rrëzuar nga përplasja e biçikletës, ndërsa nxënësit e saj i janë hedhur përsipër në tentativë për ta marrë zvarre dhe për ta futur në shkurrishtat që ndodheshin afër vendit. Por 24-vjeçarja i ka rezistuar forcës mashkullore, duke klithur e duke kërkuar ndihmë. Ndonëse orari që kishin zgjedhur për "sulm" dy djemtë ishte disi ters për vajzën e re, pasi nuk kishte lëvizje nëpër fshat, sërish ajo ka qenë me fat. Disa bashkëfshatarë të saj kanë dëgjuar britmat dhe thirrjet për ndihmë dhe kanë vrapuar andej nga vinin zërat. Derisa ata kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, dy djemtë e kanë dhunuar fizikisht mësuesen e tyre në tentativë për ta përdhunuar. Mësuesja u është hequr duarsh adoleshentëve nga banorë të fshatit, ndërsa djemtë janë larguar më pas, duke i shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit nuk ka vonuar të shkojë në vend dhe viktima ka bërë kallëzimin për dy nxënësit e saj. Ajo ka deponuar se ata i kishin zënë pritë, dhe e kanë dhunuar në tentativë për ta përdhunuar. Ndërsa shpëtimtarët e saj kanë rrëfyer në polici se, e kishin gjetur duke u kacafytur me dy djemtë, të cilët kishin vendosur ta çonin aventurën e tyre deri në fund. Policia pas identifikimit të dy autorëve të kësaj ngjarjeje i shpalli ata në kërkim, por ende nuk është bërë i munduar prangosja e tyre. Ata akuzohen për veprën e rëndë të "Marrëdhënies seksuale me dhunë në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë". Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në lagjen Johallinjas të Lapardhasë. Mësohet se 24-vjeçarja kishte qenë në ambientet e shkollës, ku ajo kishte dhënë mësim në një takim me mësuesit dhe se ngjarja ka ndodhur, kur ajo po kthehej në shtëpi. Banorët e fshatit janë tronditur nga kjo ngjarje e rëndë. Sipas Armando Shahut, banor i këtij fshati, dy djemtë njiheshin si qejflinj, u pëlqente muzika. Ndërsa një banor tjetër i fshatit pohoi se, ata pëlqenin që me veprimet e tyre të bëheshin protagonistë të situatave dhe të ishin në qendër të vëmendjes. Mësohet se ata vijnë nga dy familje të nderuara, që nuk kanë pasur asnjëherë probleme në fshat. Ata kanë reaguar dhe e kanë cilësuar si një krim të rëndë veprimin e djemve të tyre. Ndërsa mësuesja e fshatit kishte tre vjet, që jepte mësim në këtë shkollë. Ajo njihej si një vajzë e rregullt dhe kishte fituar simpatinë dhe respektin e bashkëfshatarëve të saj.

Adoleshentët në arrati

Policia e Beratit ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë që tronditi gjithë fshatin e Lapardhasë. Burime të policisë bënë të ditur se kanë marrë dëshminë e të dëmtuarës, ndërsa kanë kryer kontroll në gjithë fshatin për të bërë ndalimin e dy djemve. Familjarët e gjimnazistëve janë pyetur gjithashtu në polici. Por ata kanë ngritur supet duke pohuar se, kjo ngjarje u kishte rënë si bombë. Policia bëri të ditur se, është duke punuar edhe në rrugë operative për prangosjen e adoleshentëve, të cilët akuzohen për veprën penale "Marrëdhënie seksuale me dhunë në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë". Mësuesja e fshatit është ende e traumatizuar nga ajo që i kishte ndodhur, por gjithsesi, ajo ka mundur të japë dëshminë e plotë, duke detajuar gjithë ndodhinë. Policia ka marrë në pyetje edhe banorët që shpëtuan vajzën, si dhe disa bashkëmoshatarë dhe shokë të dy adoleshentëve, protagonistë të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›