E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrimi i policëve, avokati “del” ish-shiks, Zan Çaushi hero

05/02/2009  Qafë-Gjashta, Xhevdet Koçia rrëfen me detaje djegien dhe pengmarrjen e policëve

Tiranë- Dëshmi të reja paraqiten në sallën e gjyqit para të pandehurve akuzuar për ngjarjen e ndodhur në Qafë-Gjashtë, Sarandë në mars të vitit 1997. Për herë të parë në gjykatë deklarohet se policin e rrëmbyer dhe më pas të sistemuar në spital e ka shpëtuar Myrteza Çaushi. Ish-punonjësi i policisë Vlorë, Eduart Aliaj, i rrëmbyer nga të dyshuarit si autorë të ngjarjes në Qafë-Gashtë të 4 marsit në vitin 1997, është shpëtuar nga Zani Çaushi. Dëshmitari Xhevdet Koçia tregoi para gjykatës momentet e para të ngjarjes, gjetjen e trupit të pajetë të Gjergj Mehmetit të karbonizuar, si dhe kujdesen për Aliaj. Përpara gjykatës dëshmitari nuk përmendi emra autorësh.

Debatet në sallë

Ndërkohë që dëshmitari jashtë procedurës i drejtohet avokatit mbrojtës të të pandehurve Alfred Duka me një ton të ashpër. Ai i thotë se ka qenë kreu i SHIK-ut në Sarandë dhe nuk duhet të ishte duke mbrojtur të pandehurit mbi të cilët rëndon vdekja e policit Gjergj Mehmeti dhe rrëmbimi i policit tjetër Eduart Alia e torturimi i tij. “Kush të ka pranuar ty si avokat. Çfarë do këtu ti”. Kjo ishte shprehja që dëshmitari ish-ushtarak (në sallë u përmend që ka qenë kryetar i Komitetit të Shpëtimit) i ka thënë avokatit mbrojtës Alfred Duka.

Dëshmia

Ka qenë e vetmja dëshmi e dhënë në seancën e djeshme gjyqësore. Nuk ka parë gjë në moment, por në vend ka shkuar pas disa orësh vetëm atëherë kur e lajmëruan. Xhevdet Koçia ish-ushtarak, deklaroi se ditën e 4 marsit të vitit 1997 ka qenë duke pirë kafe në qendër të Sarandës së bashku me shokun e tij Fuat Karalliun. “Ka qenë pasdite, kur Asllan Brinja, një qytetar nga Saranda, na informoi se në Qafë–Gjashtë po vriteshin njerëz. Më tha ‘O tate’, kush është ushtarak të vijë menjëherë. Kam hipur në makinë me Fuatin dhe jemi nisur për në Qafë-Gjashtë”, filloi dëshminë Koçia. Sipas tij, kur kanë arritur në vendngjarje kanë parë më shumë se 1500 persona, burra e gra të moshuar dhe të rinj, të cilët ishin duke kaluar dhe ulëritur. Në të njëjtën kohë, sipas tij, në Qafë-Gjashtë dëgjoheshin të qara. Më pas dëshmitari ka bërë të ditur se, ka marrë një megafon dhe i ka kërkuar turmës që të mos qëllonin me armë. “Përveç rrëmujës kam parë Eduart Aliaj, që ishte i lidhur dhe ka qenë i qëlluar. Ka pasur dhe njerëz me kapuç, të cilëve iu kam kërkuar që t’i hiqnin. Më pas atë që u morr peng e kam dërguar në spital. Jam interesuar për të. I kam dhënë cigare dhe ushqim. Madje i kam kërkuar Ristan Lapit që të kujdesej për të dhe të mos e keqtrajtonin. Më pas mora vesh që kishte ardhur Zani Çaushi dhe e kishte marrë”, ka theksuar dëshmitari. Sipas Koçias, polici Aliaj nuk kishte mundësi të largohej nga spitali, pasi jeta e tij dhe e policit ishte e kërcënuar dhe mund të merrte ndonjë plumb të panjohur. Përpara gjykatës, dëshmitari ka sqaruar se kishte parë edhe makinën e djegur, në të cilën ndodhej viktima Gjergj Mehmeti. “Kam shkuar te automjetit pashë një njeri të djegur që nuk nxirrte tym, edhe makina po ashtu. Ai ishte i ulur në sedijen e pasme”, ka vazhduar me tej ai. Në fund dëshmitari i shpjegoi gjykatës se ishte futur edhe në një kotec pulash për të parë se ku ndodhej Sokol Bizhga. Për këtë të fundit mësohet se kishte marrë dijeni se kishte mundur të largohej sapo kishte ndodhur ngjarja. Dëshmitari gjithashtu sqaroi se nuk dinte se kush ishin autorët e kësaj ngjarjeje, pasi ai nuk kishte qenë dëshmitar okular. Gjykata vendosi dje që të njoftojë Eduart Aliaj dhe Myzafer Blushin për tu paraqitur në sallën e gjyqit për të dhënë deklarimet e tyre. Nga verifikimet mësohet se Aliaj ndodhet në Koma të Italisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›