E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në lokal, pronari vret mësuesin me thikë



Një mësues ka humbur jetën në Peshkopi, pasi është qëlluar nga një 25-vjeçar me thikë. Ngjarja ndodhi në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, në ambientet e një lokali, pronë e autorit të krimit. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, viktima është 57-vjeçari Hekuran Kaleci, lindur e banues në qytetin e Peshkopisë. Pasi ka ndodhur vrasja dhe policia ka marrë dijeni, ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka kryer edhe arrestimin e autorit, i cili është Dorian Ishkurti. Sipas policisë, 25-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur kur ka kryer krimin. Ai e ka bërë vrasjen me një thikë, duke e goditur disa herë në trup Kaleçin. Me gjithë ndihmën e dhënë viktimës, duke e çuar atë në spital, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë që, po sipas të njëjtave burime, Ishkurti është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 01:30, në dalje të qytetit. Sipas dëshmitarëve, viktima Hekuran Kaleci ishte së bashku me shokë të tij në lokal, duke konsumuar pije alkoolike. Lokali është pronë e shtetasve Janaq dhe Dorian Ishkurti. Sipas dëshmitarëve, 57-vjeçari kishte disa orë që qëndronte në lokal. Pas një debati të ndodhur midis tij dhe pronarit të lokalit, ky i fundit ka nxjerrë një thikë dhe me të e ka qëlluar disa herë viktimën. Edhe pse personat që ndodheshin në lokal kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë, duke e nisur për në spital, Kaleci nuk ka arritur që të mbijetojë. Plagët e marra kanë qenë të thella, duke bërë që ai të humbiste shumë gjak. Ndërkohë, paralelisht është lajmëruar edhe policia e qytetit, e cila ka shkuar në vendngjarje. Ajo ka kryer arrestimin e autorit të krimit, i cili nuk ka bërë rezistencë. Sipas burimeve të policisë, referuar edhe dëshmive të grumbulluara në vendngjarje, por edhe marrjes në pyetje të autorit të krimit, rezulton se edhe Ishkurti ka qenë në gjendje të dehur në momentin që ka kryer krimin. Ai është marrë në pyetje nga hetuesit, ku ka deklaruar se e ka kryer krimin pas një grindjeje të çastit. Autori i vrasjes është shoqëruar në qelitë e paraburgimit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›