Durrës; Operacioni “Fenix”, në pranga edhe dy persona, pjesëtarë të bandës
Policia e Shtetit ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët janë pjesë e bandës së grabitësve në vijim të operacionit “Fenix”. Në prangat e uniformave blu ranë Bexhet Halluci, 18 vjeç, banues në Kukës dhe Sherif Selaj, 23 vjeç, banues në Has. Të dy personat akuzohen për konsumim të veprave penale të “vjedhjes”, “vjedhjes me dhunë”, “vjedhjes me armë”, “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim. Kështu, numri i të arrestuarve nga operacioni “Fenix” ka shkuar në nëntë. Pjesë e grupit ishte edhe një nënoficer i Policisë Ushtarake dhe gjashtë persona të tjerë, pjesë e një bande përgjegjëse për një sërë vjedhjesh. Agjentët e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit të Tiranës vunë në pranga Pajtim Cahanin, 24 vjeç, Ermal Didën, 24 vjeç, Ismail Gjanën, nënoficer në Policinë Ushtarake, Behar Rexhën, 18 vjeç, Besmir Toçillën, 23 vjeç dhe Gazmir Shehun. Sipas policisë së Tiranës, arrestimi i tyre u krye pasi hetuesit kanë zbardhur disa nga grabitjet me armë dhe dhunë të ndodhura në kryeqytet dhe në Durrës. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Qarku Kukës, pas një hetimi njëmujor, u arrit dokumentimi ligjor i një sërë vjedhjesh me armë të realizuara në kryeqytet, në kohë e vende të ndryshme.