E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrohet me thikë nga kushëriri, e nxori nga banesa se ishte i pirë

Genc Mejdani, babai i 7 fëmijëve, vritet nga Mariglen Hoxhallari. Shkak konflikti mes viktimës dhe 4 të afërmve pas drekës familjare

BERAT - Një grindje banale mes miqve dhe kryefamiljarit ka shkuar vrasjen e këtij të fundit. Genci Mejdani është therur me thikë nga personat që kishin ardhur në banesën e tij. Pasi kishin ngrënë e pirë, duke e tejkaluar disi masën, i zoti i shtëpisë Genci Mejdani së bashku me 3 vëllezërit Mariglen, Zenel e Fatjon Hoxhallari, si dhe një shok i tyre Mersin Teliti, kanë filluar të grinden me njëri-tjetrin pa ndonjë motiv. Në këto momente, i zoti i shtëpisë, Genci Mejdani iu ka kërkuar të afërmve të largoheshin nga shtëpia, duke menduar se në këtë mënyrë sherri mes tyre do të përfundonte. Por, të katër personat e kanë ndjerë veten të fyer për mënyrën sesi janë nxjerrë nga shtëpia prej kryefamiljarit, dhe rreth orës 14:00, kanë bërë planin për ta vrarë. Ata i kanë zënë pritë në një rrugicë, rreth 30 metër larg shtëpisë ku banonte dhe 20-vjeçari Hoxhallari. Kur Mejdani ka kaluar pranë rrugës, njëri prej tyre i ka dalë përpara dhe e ka qëlluar katër herë me thikë. Pasi është shembur përdhe, ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Kanë qenë disa fqinjë të viktimës, të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit. Burimet spitalore bëjnë të ditur se dy goditjet me thikë në afërsi të zemrës, i kanë dëmtuar aortën dhe pas disa minutash ai ka Genci ka gjetur vdekjen. Menjëherë pas identifikimit të autorit të kësaj ngjarjeje kriminale, policia është vënë në lëvizje për të kapur autorin, duke ngritur postblloqe në pikat kryesore të qytetit. Pas një operacioni të mirë-organizuar nga dy komisariatet e policisë së Beratit dhe Kuçovës, rreth orës 16:00, është bërë e mundur prangosja dhe shoqërimi në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Beratit të autorin e kësaj ngjarjeje, Mariglen Hoxhallari. Pas vrasjes 20-vjeçari ishte fshehur në familjen e një të afërmi të tij, në lagjen "1 Maji" të qytetit të Kuçovës. Vëllai i viktimës, Astrit Mejdani ka pohuar se mes vëllait të tij dhe 20-vjeçarit Mariglen Hoxhallari, i cili është edhe kushëriri i tyre, nuk ka pasur asnjëherë konflikte për asnjë motiv. Më tej ai ka shtuar se të gjithë kanë mbetur të tronditur nga ngjarja e ndodhur. Duke i kërkuar drejtësisë të vërë përballë ligjit autorin e vrasjes së vëllait të tij, Astriti shpreh keqardhje për gruan dhe 7 fëmijët e vëllait të tij, që tashmë ngelën në mëshirë të fatit.

Eneida Petova

Gjendet i vdekur emigranti, dyshohet se u vra për pronësi

POGRADEC - Një 36 vjeçar nga rrethi i Pogradecit, emigrant në Itali, u gjet i vrarë me armë zjarri, në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve të këtij qyteti, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Burime nga policia e Pogradecit se "36 vjeçari Toni Shyti, nga fshati Gështenjas, i cili ndodhej në vendlindje prej një jave, u gjet i vrarë me armë zjarri në orën 22:30 të ditës së marte në varrezat e dëshmorëve të qytetit". Nga hetimet e deritanishme rezulton se viktima nuk ka pasur asnjë konflikt të momentit dhe nuk figuronte si person problematik për policinë. Mësohet se si pistë kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për motive pronësie, ndërkohë që policia nuk ka shoqëruar ende asnjë person të dyshuar për vrasjen e 36 vjeçarit Shyti. Policia ka ndaluar 5 persona, ku 2 prej tyre janë banorë të fshatit ku kishte familjen viktima.

Kapen tre të rinj, shpërndanin drogë para shkollës

ELBASAN – Tre të rinj nga qyteti i Elbasanit shpërndanin drogë para shkollës por u arrestuan në flagrancë nga seksioni i luftës kundër drogës në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Elbasanit. Ndalimi i tyre i bë mëngjesin e djeshëm, pasi gjatë kontrollit u gjetën 30 gramë lëndë narkotike, e cila dyshohet të jetë heroinë. Burime të policisë bënë të ditur se "tre të rinjtë Denis Peqini, 22 vjeç, Erion Latja, 24 vjeç dhe Edison Gurra, 22 vjeç, lindur e banues në qytetin e Elbasanit, u ndaluan gjatë një kontrolli të ushtruar në lagjen “5 Maji”, shumë pranë shkollës jo publike “Arianiti'". Mësohet se tre të rinjtë ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit për konsumimin e veprës penale " prodhim dhe shitje e narkotikëve e kryer në bashkëpunim".

Ndalohen 28 klandestinë, po shkonin drejt Greqisë

GJIROKASTËR - Rreth 28 persona nga Shqipëria e Mesme të ndaluar disa herë nga shërbimet kufitare të Kakavijës (Gjirokastër), për kalim të paligjshëm të kufirit, do të hetohen në gjendje të lirë nga prokuroria e këtij rrethi. Drejtori Rajonal i Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës, nënkomisar Vasil Valera, tha të mërkurën se "kalimi i paligjshëm i kufirit përbën vepër penale dhe kësisoj 28 personat do të hetohen nga prokuroria". Drejtori Valera nuk bëri të ditur identitetin e personave që janë nën hetim, por shtoi se gjatë muajit të kaluar shërbimet kufitare kanë bllokuar mbi 370 shtetas shqiptarë.

Betonierja përplas furgonin e shkollës, plagosen 6 nxënës

BALLSH – Një furgon me 15 nxënës është përplasur me një betoniere në vendin e quajtur Qafa e Usojës, në rrugën Fier-Ballsh, ku kanë mbetur të plagosur 6 fëmijë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje pasdite. Sipas të dhënave të para, njëri prej fëmijëve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Ballshit. Të dhënat e policisë vendore flasin se përplasja mes makinës së tonazhit të rëndë dhe furgonit të shkollës private “Odiseja” me targë MK 38 07 A ndodhi për shkak të pakujdesisë së shoferit që drejtonte mjetin ku udhëtonin fëmijët. Menjëherë sapo është mësuar për aksidentin, në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të cilat kanë vënë në pranga shoferin e furgonit, shtetasin Pëllumb Seitaj, i cili pasi është marrë në pyetje, është lënë i lirë. Po kështu, iu është dhënë ndihma mjekësore edhe 6 fëmijëve, ku 5 prej tyre nuk kanë probleme serioze. Për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes kanë nisur hetimet nga policia rrugore dhe organi i prokurorisë. Pak ditë më parë, një makinë e ndërmarrjes së Rruga-Ura në Shkodër, ra në humnerë, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje 55-vjeçare dhe plagosjen e 9 të tjerëve. Policia ndaloi pas ngjarjes drejtuesin e kamionit.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›