E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakron gruan në mes të qytetit

• Masakron gruan me thikë në mes të qytetit. Ngjarja makabër e krimit brenda familjes ka ndodhur dje, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Lushnjës.

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

 Artur Çela, 50 vjeç, ka goditur tetë herë me thikë bashkëshorten e tij Feride Çela, 45 vjeçe, duke e lënë atë të vdekur. Gjithçka ka ndodhur në orët e mesditës, përpara dyqanit që dy bashkëshortët kishin në pronësi. Bëhet e ditur se Çela ka plagosur edhe një tjetër person, i afërm i familjes së tij, i cili është munduar të ndalojë krimin. Menjëherë pas vrasjes, autori është larguar, por rreth 10 minuta më vonë ka rënë në prangat e policisë.
NGJARJA
Sipas policisë, ka qenë ora 11:30 e ditës së djeshme, kur dy bashkëshortët Artur dhe Feride Çela kanë filluar të grinden në ambientet e dyqanit të tyre, në lagjen "Çlirim". Në këtë sherr ka qenë i pranishëm edhe Lirim Çela, i afërm i familjes. Mësohet se fillimisht Arturi e ka kërcënuar bashkëshorten e tij se do ta vriste, nëse ajo nuk e mbyllte debatin. Por insistimi i saj ka bërë që ai të merrte një thikë dhe të vërsulej drejt bashkëshortes. E gjendur nën sulmin e të shoqit, Feride Çela ka nxituar të dalë jashtë. Ndërkohë që bashkëshorti ka nisur ta qëllojë atë me thikë. Fillimisht ai e ka plagosur dhe pasi gruaja ka dalë nga dera e dyqanit, bashkëshorti ka vazhduar ta godasë. Sipas policisë, Arturi ka goditur tetë herë me thikë mbi bashkëshorten e tij, plagë të cilat i kanë shkaktuar asaj vdekje të menjëhershme. Ndërkohë që pre e sulmit është bërë edhe i afërmi i tyre, Lirim Çela. Bëhet e ditur se ai është plagosur, pasi ka ndërhyrë për të parandaluar sulmin duke tentuar t'i rrëmbente thikën nga duart e Arturit. Ndërkohë që 50-vjeçari, pasi ka lënë të vdekur në trotuar bashkëshorten dhe të plagosur të afërmin e tij është larguar më shpejtësi. 
ARRESTIMI
Kalimtarët kanë qenë ata që kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje e shoqëruar edhe nga ambulanca të spitalit. Pas mbërritjes ata kanë marrë trupin e pajetë të 45-vjeçares, si edhe kanë nisur me urgjencë për në spital të plagosurin Lirim Çela. Ndërkohë që ata janë angazhuar maksimalisht në ndjekje të autorit të ngjarjes. Mësohet se pas 10 minutash autori është prangosur pranë stacionit të trenit, në tentativë për t'u larguar nga qyteti. Pas arrestimit ai është dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Lushnjës. Policia bëri të ditur se me vete ai kishte armën e ftohtë me të cilën qëlloi mbi bashkëshorten. Ndaj 50-vjeçarit Çela rëndon akuza e "vrasjes me dashje" dhe "plagosjes së rëndë me dashje". Ndërkaq sipas bluzave të bardha të Lushnjës mësohet se, i plagosuri Lirim Çela ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
MOTIVET
Deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk kishte ndonjë version zyrtar të motiveve që kanë çuar Artur Çelën në krimin ndaj bashkëshortes së tij, veç atij të vrasjes për motive të dobëta. Të pyetur mbi marrëdhëniet e çiftit, të afërm të familjes Çela pohuan se ai qëndronte i dehur në pjesën dërrmuese të kohës dhe se kjo nuk ishte hera e parë që ata grindeshin. Duke iu referuar këtyre burimeve, pohohet se motiv i konfliktit mes dy bashkëshortëve kanë qenë lidhjet jashtëmartesore. Mësohet se 45-vjeçarja i kërkonte shpesh llogari për lëvizjet që ai bënte, më kë shoqërohej dhe kur dilte nga shtëpia. Gjithashtu bëhet e ditur nga të njohur të çiftit se 50-vjeçari prej disa kohësh kishte shfaqur dyshime për tradhti bashkëshortore. Ka qenë kjo njëra nga arsyet që e ka bërë gruan të reagojë, duke i mbyllur shpesh debatet brenda familjes, pasi siç pohohet ishin persona me reputacion të mirë në qytet.

10 minuta
pasi kishte kryer krimin makabër, Artur Çela, ka rënë në prangat e policisë. Ai është ndaluar pranë stacionit të trenit, prej nga do të largohej nga qyteti

8 here
ka qëlluar me thikë në trupin e 45-vjeçares Feride Çela bashkëshorti i saj. Pas plagëve të marra ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›