Masakron gruan në sy të së bijës
Një grua është masakruar nga bashkëshorti i saj për motive banale në fshatin Goc të Maliqit. Ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje, kur Qemal Limollari, 51 vjeç, është kthyer në shtëpi i dehur dhe pas shkëmbimit të disa fjalëve ka rrëmbyer një levë hekuri dhe ka qëlluar disa herë të shoqen, Mejlina Limollari, 47 vjeçe. Edhe kur gruaja ka rënë në tokë pa ndjenja, burri ka vazhduar ta godasë me shufrën e hekurit dhe nuk është ndalur as kur këtë ia ka kërkuar e bija. Pasi e ka qëlluar edhe një herë me levë në kokë në sy të vajzës, 51-vjeçari është larguar nga shtëpia, si dhe ka fshehur levën e hekurit, me të cilën kishte kryer krimin. Britmat e vajzës kanë alarmuar fqinjët, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe kanë transportuar për në spital gruan që dergjej pa ndjenja në oborrin e shtëpisë. Mjekët e spitalit të Korçës thanë se plagët që kishte marrë gruaja ishin të rënda dhe nuk mund të japin siguri për jetën e saj. Ndërkohë, policia arrestoi burrin, teksa tentonte të largohej nga fshati. Burime nga fshati thonë se ai e kishte qëlluar gruan me pretekstin se ajo nuk respektonte prindërit e tij.