Rreh e kërcënon me granatë të shoqen
Një 48-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë, sepse ka goditur bashkëshorten me mjete të ndryshme dhe më pas e ka kërcënuar me granatë. E gjithë ngjarja ka ardhur pas një konflikti në familje dhe kjo ka detyruar policinë të arrestojë agresorin dhe të marrë në mbrojtje gruan e dhunuar. Burimet policore bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5 u arrestua shtetasi Ismail Osman Murati, 48 vjeç, banues në Babrru, me arsim 6 klasë. Sipas të dhënave hetimore, pikërisht në banesën e tij private në Babrru, rreth orës 13.30 të së enjtes ishte kthyer dhe kishte nisur të zihej me të shoqen, Fluturën. Në sherr e sipër, duke dashur të tregojë forcën e burrit, ai e ka goditur të shoqen 39-vjeçare me çfarë i ka zënë dora. Më pas, gruaja e ka kërcënuar se do ndahet dhe në këto kushte, agresori ka marrë një granatë që e mbante të fshehur dhe e ka kanosur se do ta vriste me të, nëse ajo provonte të kryente një veprim të tillë. Policia tha se sapo është njoftuar për këtë ngjarje ka bërë shoqërimin e të dyve në komisariat, ku janë sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe është vendosur arrestimi i agresorit.
Ble.Gi.
Ble.Gi.