E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugët: Qeveria nuk paguan paratë, kompanitë ndërpresin punimet



Pjesa dërrmuese e kompanive ndërtuese që kanë fituar në të shkuarën tenderë për punime publike në rrugët kombëtare apo projekte të tjera infrastrukturore, i kanë pezulluar punimet tërësisht, apo i kanë ngadalësuar ato në pritje të zhbllokimit të pagesave, bëhet e ditur nga burime pranë Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë. Shoqata pati njoftuar dhjetorin e kaluar se qeveria ka akumuluar detyrime të përgjithshme prej 70 milionë eurosh ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve, për shkak të problemeve me likuiditetin që kanë zaptuar financat publike. Shoqata pati paralajmëruar se do të fillojë grevë të përgjithshme në janar, por e shtyu vendimin për më vonë, me shpresë se situata do të normalizohej. “Në të gjitha projektet publike të inspektuara nga shoqata, nuk dallohet më asnjë punëtor apo makineri në punë”,- bënë të ditur Shoqata. Në shumë projekte infrastrukturore, të punësuarit tregojnë se kanë muaj që nuk marrin pagat, ose i marrin ato me vonesë, ndërkohë që kompanitë e ndërtimit i kanë varur shpresat te dega e Thesarit të qeverisë. Disa prej kompanive vijuan të punojnë me fondet e veta, por u përballën me vështirësi kur paraqitën kërkesa për kredi pranë bankave dhe bankat nguruan të financojnë kompanitë bazuar në kontratat e punimeve. Qeveria shqiptare filloi punime me vlerë të përgjithshme prej 1 miliard dollarësh gjatë vitit 2009, bazuar në besimin se ekonomia do të vijojë të rritet. Qeveria shpresonte gjithashtu se do t’i kishte dyert e hapura në tregun ndërkombëtar për të marrë kredi. Të dy faktorët ku bazohej suksesi i investimeve publike dolën zhgënjyes. Të ardhurat e buxhetit të shtetit u rritën me vetëm 2 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që qeveria pati shpresuar për rritje 10-12 për qind.

Gjermania financon 91 milionë euro në dy projekte energjetike

Gjermania do të financojë 91 milionë euro në dy projekte që tentojnë të përmirësojnë rrjetin energjetik në vend. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt dhe ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, nënshkruan dje Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar për financimin e këtyre dy projekteve. Ata janë: “Linja Unazore 110 kV në Jug të Shqipërisë”, me një vëllim prej 49 milionë eurosh; dhe projekti i dytë, “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Kosovë (Tiranë-Prishtinë)”, me një vlerë prej 42 milionë eurosh. Projekti i parë ka për qëllim përmirësimin e fuqisë së energjisë ku synohet të plotësohen mungesat në rrjetin ekzistues 110 kV në Jug të Shqipërisë dhe në zonën turistike të vendit. Ndërsa në projektin e dytë, synohet të ndërtohet një linjë transmetimi 400 kV që do të lidhë Tiranën me Prishtinën me një gjatësi të përgjithshme të linjës që arrin 240 km. Krahas kësaj, do të financohen masat e nevojshme zgjeruese veçanërisht në nënstacionin e Kasharit në Tiranë. Sipas ministrit Dritan Prifti, “linja me Kosovën do të shërbejë për import-eksportet mes dy vendeve në momentet kur nuk ka prodhim të mjaftueshëm”. Ndërsa ambasadori gjerman deklaroi se, “në këto dy dekada Gjermania ka financuar në Shqipëri projekte me një vlerë të përgjithshme prej 900 milionë eurosh”. Të dy projektet së bashku arrijnë vlerën e 91 milionë eurove dhe janë pjesë e fondit më të madh vjetor të miratuar (2009) deri më tani prej Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë, në një vlerë të përgjithshme prej plot 130 milionë eurosh.

USAID, program për vlerësimin e hoteleve dhe turizmit në Shqipëri

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar “USAID” do të zbatoj programin e vlerësimit të hoteleve dhe shërbimeve në vendin tonë. Lajmi është bërë i ditur nga vet agjencia gjatë Konferencës së Dytë Vjetore të Shoqatës së Turizmit të Shqipërisë “ATA”. Projekti parashikon mbështetje financiare dhe teknike për Shoqatën e Turizmit. Programi i quajtur “Quality Mark”, bazohet në modelin e krijuar dhe mbështetur nga USAID në Kroaci, Bullgari dhe së fundi edhe në Maqedoni. “Është një sistem unik vlerësimi që siguron informacion për hotelet e vogla dhe njësi të tjera akomoduese që ofrojnë një kategori të përshkruar si ‘turizëm autentik’. Ky segment i shfaqur tregu i cili rritet me shpejtësi synon t’i ofrojë udhëtarit një eksperiencë më të personalizuar e cila thekson kulturën e vendit, mjedisin, ushqimin, punët artizanale dhe eksperienca në natyrë”,- thuhet në materialin e USAID-it, për prezantimin e këtij programi. Sipas pas ekspertëve, ky program do të ndihmojë ofruesit e njësive akomoduese të përmirësojnë produktet dhe shërbimet e tyre. Kompanitë do të jenë më të afta në praktikat e biznesit dhe do të mbështesin konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit. Konferenca e organizuar me përfaqësues të shoqatës së turizmit, të USAID-it dhe të GTZ-së, vlerësoi kapacitetet e vendit tonë dhe kërkoi më shumë vëmendje për standardizimin më të lartë të shërbimeve. Konkluzioni i konferencës ka qenë se bashkëpunimi efikas mes operatorëve privatë dhe publikë të industrisë së Turizmit në Shqipëri është çelësi i rritjes së nivelit kësaj industrie.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›