E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi, si përgatitet dosja për regjistrimin e pasurive të paluajtshme



Ervin KOÇI

Për regjistrimin e një prone, pasuri të paluajtshme, me qëllim bërjen e saj të vlefshme qytetarët duhet të disponojnë një dosje të tërë me dokumente. Të gjithë ata që do të regjistrojnë pronat e tyre pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duhet të përgatisin një dosje të plotë me një sërë dokumentesh në mënyrë që prona e tyre të bëhet e ligjshme. Ekspertët e ZQRPP-së deklarojnë se, në rast të kundërt qytetarët rrezikojnë që të mos u behët regjistrimi. Së pari, të interesuarit duhet të disponojnë të gjithë dokumentet e pronësisë të lëshuar nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim. Gjithashtu, pjesë e dosjes do të jenë të gjithë dokumentet e lëshuara pas vitit 1991 nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht. Ndërkohë edhe dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie apo vendim gjykate duhet të dorëzohen pranë ZVRRP-së.

Plotësimi i dokumentacionit
Pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar, përgatitet Kartela e Pasurisë së Paluajtshme për pronën e gjithsecilit dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në Hartën Treguese të Regjistrimit. Ndërkohë, specialistët dhe ekspertët, tërheqin sërish vëmendjen se është e rëndësishme që, gjithsecili të verifikojë saktësinë e Kartelës dhe Hartës Treguese të Regjistrimit të pronës, gjatë procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në bazë të procedurës çdo pronë ka një kartelë që tregon emrin e pronarit, tipin e pronësisë, vendndodhjen fizike dhe madhësinë e pronës. Ajo tregon gjithashtu çdo ngarkesë ose kufizim në transferimin e pronës si të drejtën e përdorimit të tokës nga të tjerët, hipotekimin, dhënien me qira ose problemet gjyqësore. Çdo pronë, pavarësisht nëse është një parcelë apo ndërtesë, ka një numër unik identifikimi, i cili referohet në kartelë dhe në Hartën Treguese të Regjistrimit. Shqipëria ka më shumë se 4.5 milionë prona të ndara në 36 rrethe dhe rreth 3000 zona kadastrale. Çdo rreth ka një Zyrë Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme dhe një Regjistrues, i cili mbikëqyr regjistrin për zonën e tij.

Pronat me probleme
Të gjithë ata persona, të cilët kanë probleme me dokumentacionin e tyre duhet të ndjekin një procedurë të re për regjistrimin e tyre. Ekspertët e Zyrës Qendrore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, deklarojnë se qytetarët, të cilët nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen e pronës në dokumente mund ta rregullojnë atë vetëm me anën e një kërkese. Procedura e re saktëson se “individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin Regjistruesit të ZVRPP-së, një kërkesë për regjistrim pronësie, në mënyrë që të fillojë procesi i regjistrimit. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo genplanin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim. Vetëm pasi të jenë dorëzuar të gjitha këto dokumente specialistët e ZVRPP-ve mund të fillojnë procedurat për saktësimin dhe regjistrimin e kësaj prone, deri në lëshimin e certifikatës së pronësisë.

Regjistrimi dhe marrja e certifikatës së pronësisë

Specialistët shpjegojnë më pas, rrugën deri në regjistrimin dhe marrjen e certifikatës së pronësisë. Sipas tyre, mësohet se, pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar, përgatitet Kartela e Pasurisë se Paluajtshme për pronën e gjithsecilit dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në Hartën Treguese të Regjistrimit. Specialistët tërheqin sërish vëmendjen se është e rëndësishme që, gjithsecili të verifikojë saktësinë e Kartelës dhe Hartës Treguese të Regjistrimit të pronës, gjatë procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Më pas, informacioni i regjistruar në Kartelën e pronës dhe Harta Treguese e Regjistrimit, afishohen publikisht nga në një ambient brenda zonës kadastrale dhe rrinë të afishuara për 45 ditë me radhë. “Ky moment është shumë vendimtar për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të regjistrimit. Kurrsesi mos e anashkaloni atë! Pas këtij afati gjithçka do të kryhet përkundrejt pagesave”,- shtojnë specialistët. Në rast se, ndokush konstaton pasaktësi gjatë periudhës së Afishimit Publik, pronarët duhet të paraqesin menjëherë një kërkesë me shkrim te personi i autorizuar nga kompania për afishimin publik ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi (qoftë edhe një shkronje në emër) që mund të jetë vënë re. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitni edhe dokumentacionin që vërteton pretendimin e gjithsecilit. Brenda periudhës 45 ditore të afishimit, duhet që sërish, pretenduesi të verifikojë nëse zgjidhja e pretendimit është pasqyruar në listat dhe hartat e afishuara. Pas periudhës 45 ditore, vjen çasti që gjithsecili merr dokumentin që e bën pronarë. Në këtë rast, për pasuritë që nuk ka pasur pretendime ose që pretendimet janë zgjidhur, jepet “Certifikata për Vërtetim Pronësie” dhe poseduesit e të drejtave të tjera reale të pasurisë (qira, hipotekim, servitude, etj.) pajisen me certifikatën përkatëse.

Fazat e procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

1. Mbledhja dhe Saktësimi i Dokumentacionit, ku përfshihet:
* Grumbullimi i Dokumentacionit
* Fushata për Informimin e Publikut
* Fotografimi/Skanimi i dokumentare
* Regjistrimi Sporadik i përfshirë në Regjistrimin Fillestar
* Azhornimi i Hartave Treguese dhe Librit të Ngastrave
* Përgatitja e Kartelave të Pasurive
* Monitorimi i Fazës I nga ZVRPP dhe ZQRP, dhe aprovimi i punës

2. Përgatitja e Hartës dhe Kartelës së Pasurive të Paluajtshme, ku përfshihet:
* Printimi i Parë i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Afishimi Publik i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Analiza e Kërkesave/Vërejtjeve të pronarëve dhe Plotësimi apo Korrigjimi i gabimeve të mundshme
* Monitorimi i Fazës II nga ZRRPP dhe ZQRPP dhe aprovimi i punës

3. Afishimi Publik 45 ditor (saktësime dhe verifikime), ku përfshihet:
* Printimi i Dyte + Harta Treguese e Regjistrimit + Kartelat + Lidhja e Kartelës
* Legalizimi i Regjistrimit Fillestar nga ZRRPP

4. Marrja e Certifikatës së Pronësisë në bazë të kërkesës së pronarit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), ku përfshihet:
* Dorëzimi i dokumentacionit ne ZRRPP dhe ZQRPP

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›