Prokuroria e Tiranës: Skandali me barnat për pacientët në QSUT
Laureta Rryçi
Prokuroria e Tiranës është marrë prej dy vitesh me hetimin mbi procedurën që ndiqej me barnat që u jepeshin pacientëve te Onkologjiku në QSUT. Burime nga ky institucion pohuan dje për gazetën “Albania” se në fokus të këtij hetimi dyvjeçar ka qenë ndihmësfarmacisti në Shërbimin e Onkologjikut. Fillimisht kanë qenë denoncimet e qytetarëve që kanë vënë në lëvizje policinë dhe oficerët gjyqësorë. Më pas, gjatë verifikimeve, mësohet se është konstatuar për një skandal me përmasa të mëdha në këtë qendër spitalore. Sipas Prokurorisë, ilaçet, të destinuara për rimbursim, ndihmësfarmacisti ua jepte depove private farmaceutike duke i këmbyer ato me ilaçe që ishin në prag të skadimit, duke vënë kështu në rrezik jetën e shumë pacientëve. Një shkelje tjetër e evidentuar po nga institucioni i akuzës është edhe shitja e ilaçeve po nga i njëjti person me një çmim disafish më të lartë shumë pacientëve që vuanin nga sëmundje të rënda.
Hetimet
Pas shumë muaj hetimesh, Prokuroria i është drejtuar vetëm pak ditë më parë Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për kontroll banese dhe zyre ndaj farmacistit Isnih Bajrami. Sipas institucionit të akuzës, më datë 08.05.2008, mbi bazën e referimit të veprës nga shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.1601 të vitit 2008, në ngarkim të shtetasit Isnih Bajrami, akuzuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga Neni 259 i Kodit Penal. Ky shtetas, në momentin e hetimit ishte në marrëdhënie pune pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” Tiranë, në Repartin Onkologjik, me detyrën e ndihmësfarmacistit në farmacinë e këtij reparti. Detyra funksionale e tij është shërbimi i medikamenteve si “Taxoter”, “Zometa”,
“Herceptine”, “Mapter”, “Avastine”, “Cisplatine”, “Manitol” për të sëmurët në Spitalin Onkologjik. Barnat për përdorim spitalor shpërndahen sipas Udhëzimit Nr.134, datë 10.07.2007 të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare. Për çdo dalje bari nga farmacia duhet administruar receta mjekësore dhe i sëmuri ose i afërmi i tij duhet të shoqërohet nga kryeinfermierja e pavijonit ku është i shtruar i sëmuri. Pacienti ose i afërmi i tij, i identifikuar me dokument identifikimi, duhet të firmosë në recetë dhe të shkruajë se barnat i tërhoqi pa pagesë. Ndihmësfarmacisti Isnih Bajrami dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e të sëmurëve në Repartin Onkologjik (nevojën ekstreme të tyre për t’u trajtuar me barna të ndryshme), të ketë nxjerrë përfitime duke i dhënë barnat që jepen falas nga shteti në spital kundrejt shumave të konsiderueshme parash. Sipas Prokurorisë, ky shtetas, për të realizuar përfitimet e padrejta të të sëmurëve apo familjarëve të tyre, u paraqiste gjendjen e mungesës së barnave në farmacinë e spitalit dhe në këto rrethana u ofronte ndihmën e tij për t’ua gjetur dhe shitur me çmime të ndryshme. Po sipas hetuesve që janë marrë me këtë çështje, shtetasi në hetim dyshohet se ka kryer edhe veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal. I hetuari dyshohet se ka mundësuar ndërrimin e barnave për përdorim spitalor të farmacisë shtetërore me barna nga depo farmaceutike private, të cilat ishin në kufijtë të skadimit. Pas gjithë këtyre materialeve të depozituara në Gjykatë, gjyqtari që shqyrtoi kërkesën e prokurorit vendosi pro duke lejuar kështu kontrollin e banesës dhe zyrës së ndihmësfarmacistit.
Vendimi
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare ka pushuar nga puna vetëm pak ditë më parë ndihmësfarmacistin e Shërbimit Onkologjik, Isnih Bajramin. Sipas njoftimit zyrtar nga QSUT-ja, kjo masë e menjëhershme administrative është marrë për disa arsye. Pretendohet se ndihmësfarmacisti ka bërë korrigjime të faturave mjekësore të barnave me vlera të konsiderueshme lekësh. Nuk ka aplikuar te pacientët sasinë e mjaftueshme të medikamenteve si dhe i mungonte arsimi përkatës për të qenë një nga punonjësit në një spital të nivelit terciar, siç është QSUT-ja. Më tej, në njoftim shpjegohet se ky vendim i marrë nga Drejtoria e QSUT-së mbështetet edhe në një sërë dokumentesh të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit ka vendosur një gjobë prej disa milionë lekësh për shkak të parregullsive në farmacinë ku ai punonte. Ndërkaq, Drejtoria e QSUT-së njofton se do të ketë të tjera kontrolle dhe inspektime edhe në punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor dhe administratës. Për këdo që do të konstatohen shkelje me detyrën, masa administrative do të jetë e menjëhershme konform ligjeve në fuqi.
19 Shkurt 2010