Masakron vajzën se dashuronte shqiptarin
Duke mos pranuar lidhjen e vajzës së tij me një emigrant shqiptar, një italian ka vendosur të hakmerret pikërisht ndaj së bijës. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme kur, Mario Matarazzo, 44 vjeç, nga krahina e Osimo në Ankona, ka goditur me një mjet të mprehtë 23-vjeçaren me inicialet E. M. Shqiptari, me inicialet M. M., 22 vjeç nuk ka pësuar dëmtime. Pas ngjarjes policia e ka vënë në pranga të dyshuarin për tentativë vrasjeje, ndërkohë që ai po tentonte të arratisej. Ndërkaq që vajza e re është shtruar në spitalin e qytetit të Ankonës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por i duhet të rrijë në spital për më shumë se dhjetë ditë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në familjen Matarazzo, pak kohë pasi emigranti shqiptar ishte prezantuar në familjen italiane. Shqiptari sapo ishte prezantuar me familjen e vajzës italiane, kur dhe ka ndodhur krimi në familje. E reja jetonte në një shtëpi me mamanë, dy motrat dhe një nip. Gjatë ngjarjes është përfshirë dhe gruaja e të ndaluarit, ndërkohë që pas krimit i dyshuari është larguar, por për t‘u vënë në pranga pak më vonë nga karabinierët. Kur është arrestuar italiani kishte të veshura rroba gjithë gjak. Mësohet se ai kishte tentuar që të qëllonte dhe veten pikërisht me sendin e fortë që qëlloi të bijën.