E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masaro: U mallgnjeva kur shkela në Shqipëri

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)
Daniele Masaro, ish-sulmuesi i Milanit dhe i Italisë ka mbërritur dje në Tiranë për të prezantuar projektin "Milan Junior Camp" në vendin tonë. Ish-ylli i kuqezinjve ka thënë se është ndjerë i mallëngjyer kur ka zbritur në tokën shqiptare, pasi babai i tiuj i kishte folur shpesh herë për vendin e shqiponjave.
Zoti Masaro, cila është përshtypja juaj për Shqipërinë?
Kur zbrita nga avioni dhe shkela në tokën shqiptare u ndjeva i mallëngjyer. Babai im, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta dy vjet më parë, më ka folur thuajse cdo natë për këtë vend kur unë isha i vogël. Në luftën e dytë botërore ai ka qenë i burgosur në Shqipëri dhe kur unë shkela këtu në tokën tuaj u ndjeva shumë pranë tij. Është një kënaqësi që jam këtu, sepse prej kohësh kam dashur ta vizitoj këtë vend. Shpresoj që të bëjmë dicka të mirë në Shqipëri.
Cfarë dini ju për futbollin tonë dhe a njihni ndonjë futbollist shqiptar?
Futbollin shqiptar e njoh vetëm nga distanca, sepse deri tani nuk kam pasur rastin që të shikoj ndonjë ndeshje të skuadrave tuaja. Ndërsa për sa i përket lojtarëve, unë njoh tre prej tyre të cilët janë: Igli Tare, Erjon Bogdani dhe Valon Behrami. Ky i fundit shënoi edhe golin e fitores në derbin me Romën.
Cili është komenti juaj për Taren dhe për Bogdanin?
Nuk i njoh shumë mirë sepse i kam parë vetëm nëpërmjet televizorit, por kam bindjen se derisa luajnë në Serinë A, madje luajnë me skuadra të mira, atëherë padyshim që ata janë të talentuar dhe e meritojnë të jenë aty. Mendoj se në të ardhmen edhe futbollistë të tjerë shqiptarë mund të luajnë në Serinë A, sepse me aq sa jam në dijeni unë këtij vendi nuk i mungojnë talentet.
Cili është projekti i klubit të Milanit për Shqipërinë?
Ne kemi planifikuar që të organizojmë një këtu turneun "Milan Junior Camp", i cili në fakt është për qëllime solidarizuese. Kjo mundësohet edhe falë mbështetjes së madhe së kompanisë "Taci Oil", që mundësi organizimin e këtij turneu edhe në Shqipëri. Për sa i përket qëllimeve tona ato janë të qarta: së pari fëmijët shqiptarë të mund të luajnë dhe të argëtohen me veshje të Milanit. Nëse aty do të ketë ndonjë kampion të vogël, atëherë ne do ta ndihmojmë atë që të mund të arrijë dicka. Besoj se gjatë turneut do të ketë edhe përzgjedhje, por nuk duam t'i zbulojmë të gjitha sot, sepse nesër (sot) do të kemi një konferencë për shtyp dhe aty do të mund të flasim më gjatë për këtë.
Gjatë ditëve që do të zhvillohet turneu në fund të muajit qershor, mësuam se të rinjtë e Milanit do të trajnohen nga teknikë të departamentit të të rinjve të Milanit. A do të vijë në Tiranë ndonjë emër i njohur?
Nuk di si të përgjigjem për këtë. Ka mundësi edhe që të vijë ndonjë trajner të cilin ju e njihini, por kjo nuk është 100 për qind e sigurt. Megjithatë mund t'ju them se atmosfera që do të krijohet do të jetë vërtet e këndshme dhe këtë ua siguroj, sepse flas nga eksperienca.
Po ndonjë lojtar aktual i Milanit a do të vijë në Tiranë?
(Heziton)...Kjo do të jetë paksa e vështirë. E them këtë sepse në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut do të zhvillohen ndeshjet e kampionatit Evropian dhe kjo e bën paksa të vështirë këtë gjë. Përvec kësaj, pjesa tjetër e lojtarëve do të kenë nisur fazën e pushimeve dhe do të jetë e vështirë që të shkëpusim ndonjë prej tyre, sepse secili ka planet e veta. Mendoj se cdo futbollist e meriton që të bëjë pak pushim në atë periudhë pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. Megjithatë kjo do të shqyrtohet si mundësi dhe ndoshta mund të bëhet dicka edhe në këtë drejtim.
A ju vjen keq që këtë vit do ta fitojë titullin Interi?
Ju lutem ndryshoni pyetje, sepse kësaj nuk më pëlqen t'i përgjigjem. Më pëlqen më tepër që të flas për skuadrën time...(qesh).
Cfarë po ndodh me Milanin?
Milan është Milan, është klubi që ka fituar më shumë trofe në gjithë botën. Cfarë prisni që të ndodhë?
Kohët e fundit ka hasur shumë vështirësi....
Është e vërtetë që po kalon një periudhë jo fort të shkëlqyer, por kjo ka ndodhur për shkak të problemeve që kanë pasur disa nga lojtarët kyc të kësaj skuadre. Tani objektivi i skuadrës tonë është që të arrijë vendin e katërt dhe të sigurojë një vend në Ligën e Kampioneve dhe unë jam i bindur që do të mund t'ia dalë mbanë, sepse e njoh mirë skuadrën dhe drejtuesit e saj.
A e dini që Milani, madje edhe ju keni shumë fansa në Shqipëri?
Sigurisht që e dimë. Milani është një klub që ka fansa në të gjithë botën, por e di se në Shqipëri ka vërtet shumë dhe jemi krenarë për këtë.
Kush është pasardhësi juaj te Milani?
Për fat të keq sot te Milani nuk ka asnjë lojtar që të më ngjasojë.
A mund të jetë e realizueshme një ndeshje mes Milanit dhe një klubi shqiptar ose me Kombëtaren Shqiptare?
Nuk di cfarë të them, sepse Milani ka një axhendë të përcaktuar qartë. Megjithatë nëse kjo hidhet si ide, unë nuk e përjashtoj si mundësi, por duhet të dini se unë nuk mund të japë përgjigje për një gjë kaq serioze, pasi nuk jam unë ai që vendos për të tilla gjëra.

Për Milanin
"Është e vërtetë që po kalon një periudhë jo fort të mirë, por kjo ka ndodhur për shkak të problemeve që kanë pasur disa nga lojtarët kyc të kësaj skuadre. Tani objektivi i skuadrës është që të arrijë vendin e katërt dhe të sigurojë një vend në Ligën e Kampioneve dhe unë jam i bindur që do të mund t'ia dalë mbanë".

Për Interin
"A më vjen keq që këtë vit mund ta fitojë sërish titullin Interi? Ju lutem ndryshoni pyetje, sepse kësaj nuk më pëlqen t'i përgjigjem. Më pëlqen më tepër që të flas për skuadrën time...(qesh). Skuadrat e tjera i zgjidhinb vetë punët e tyre", tha Masaro.

Për Shqipërinë
"Nuk di cfarë të them, nëse Milani mund të luajë një ndeshje me Kombëtaren shqiptare" sepse Milani ka një axhendë të përcaktuar qartë. Megjithatë nëse kjo hidhet si ide, unë nuk e përjashtoj si mundësi, por duhet të dini se unë nuk mund të japë përgjigje për një gjë kaq serioze, pasi s'jam unë ai që vendos për këto gjëra".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›