Rezart Taçi : Falënderojmë Milanin që na ndihmoi të bëhemi pjesë e tij

Menaxheri i përgjithshëm i kompanisë "Taci Oil", Rezart Taci e ka cilësuar si tepër serioz bashkëpunimin me klubin e Milanit duke falënderuar drejtuesit e Milanit për impenjimin që ata kanë ndërmarrë në Shqipëri. "Jam shumë i kënaqur që drejtuesit e Milanit kanë vendosur që të organizojnë një turne të tillë, i cili do t'iu shërbejë shumë fëmijëve shqiptarë, por edhe sportdashësve, të cilët janë të apsaionuar pas skuadrës së Milanit. Unë falënderoj drejtuesit e Milanit që na dhanë mundësinë që të bëhemi pjesë e klubit të Milanit", tha Taci.
Ideja për të organizuar aktivitetin "Milan Junior Camp" edhe në Tiranë ka qenë e presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni. Burime pranë organizatorëve që po merren me vënien në jetë të këtij projekti bënë të ditur se gjithcka ka lindur pas një takimi mes numrit një të klubit kuqezi me menaxherin e përgjithshëm të kompanisë "Taci Oil", Rezart Taci. Gjatë bisedës së tyre ish-kryeministri i Italisë ka thënë se do të donte që të shtrinte projektin "Milan Junior Camp" edhe në Shqipëri, por për këtë i nevojitej një sponsor i fuqishëm. I menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e drejtuesit më të lartë të "Taci Oil", i cili është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me klubin milanez. Më pas kontaktet kanë vijuar dhe është nënshkruar një kontratë bashkëpunimi trevjecare, ku Divizioni i Kampit të të rinjve të Milanit do të organizojë një turne cdo verë gjatë tre viteve të ardhshme. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë fëmijë të moshave nga 8 deri në 16 vjec.