Masat për sezonin, ku mund të telefononi në rast mbytje në det
DURRËS – “Në rast se dikush po mbytet në det, ju mund të telefononi pa pagesë në numrat 126 dhe 129”. Ky është shërbimi i ri për të shmangur viktimat në detë gjatë sezonit turistik, i cili është ofruar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare dhe komisariatet e disa rretheve. Burimet zyrtare të policisë së qytetit bregdetar kanë publikuar dje planin e masave të ndërmarra gjatë periudhës së verës, të cilat do t’iu vijnë në ndihmë qindra e mijëra pushuesve që frekuentojnë bregdetin e Durrësit. Për të shmangur rastet e mbytjes në det, policia ka vënë në dispozicion dy numra telefoni fiks falas, ka shtuar forcat e rendit në komisariatin e plazhit, si dhe po bashkëpunon me “Guardia Di Finanza” në rastet kur ka rrezik përmbytje të pushuesve. Po ashtu, janë parashikuar kontrolle nga blutë e qarkullimit për të lehtësuar lëvizjen e makinave në zonat bregdetare si dhe verifikime të imtësishme për shqiptarëve që kalojnë nëpër pikat kufitare.
Masat
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare dhe Migracionit, komisariatet e Policisë së Shijakut dhe Krujës, përmes sallës operative, ofron shërbim gjatë gjithë kohës me dy numra telefoni falas; 126 dhe 129 për pushuesit në zonat bregdetare. Një masë e tillë është bërë për të parandaluar mbytjen e pushuesve në det, pasi vitet e fundit janë shkaktuar me dhjetëra viktima. “Stacioni i Policisë Kufitare në Durrës do të koordinojë punën më stacionet e Policisë Kufitare Spille, Shëngjin e Divjakë, dhe bashkëpunojë me Guardia Di Finanzën për patrullimin sa më efikas të vijës kufitare që mbulojnë, dhënien në kohë të ndihmës pushuesve përgjatë vijës bregdetare dhe parandalimin e trafiqeve të paligjshme”, - thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Po kështu masa janë marrë lidhur me gatishmërinë e gjithë mjeteve lundruese të Stacionit të Policisë Kufitare Durrës. Vetëm vitin e kaluar në ujërat detare të Durrësit kanë humbur jetën të paktën 7 pushues nga Shqipëria dhe vende të tjera për shkaqe të ndryshme.
Rendi dhe qetësia
Policia ka njoftuar marrjen e masave edhe në aspekte të tjera. Garantimi i rendit dhe qetësisë publike, parandalimi dhe goditja e kriminalitetit dhe rritja e sigurisë në rrugë e vendet e pushimit, rritja e standardeve dhe lehtësimi i procedurave të kontrollit në vendkalimet kufitare, rritja e sigurisë në rrugë, kapja e personave të kërkuar, janë disa nga masat e tjera. Gjatë verës rikthehen me mijëra emigrantë në Shqipëri, duke shtuar ndjeshëm nivelin e kriminalitetit në vend. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe shtohen tentativat për kontrabandë dhe trafiqe në Portin e Durrësit.
Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se janë marrë masa shtesë për përballimin e kërkesave për pajisje me pasaporta. Policia ka kërkuar ndihmën e autoriteteve lokale gjatë kësaj periudhe. Sipas burimeve zyrtare, po shqyrtohet mundësia e shtimit të forcave të rendit gjatë verës në qarkun e Durrësit.
Italia dhuron një anije për rojat bregdetare
DURRËS - Roja Bregdetare Shqiptare morën në dorëzim nga Marina Ushtarake dhe Kapiteneria Portuale Italiane një anije tjetër, dhuratë e qeverisë dhe popullit fqinj për forcat tona detare. Ceremonia u organizua mbrëmë në kalatën Nr. 5 të portit detar të Durrësit nga Brigada Detare Shqiptare dhe Delegacioni Italian i Ekspertëve (DIE), me qendër në Tiranë. Burime nga Komanda e Brigadës Detare me qendër në Durrës, bënë të ditur se kjo motovedetë është e specializuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në det dhe më gjerë në zbatimin e ligjshmërisë detare. Burime zyrtare nga DIE, bënë të ditur se motovedeta CP 249 është anija e 13-të ushtarake italiane, që i dhurohet forcave tona detare. Burimet thanë se kështu mbyllet një cikël që ka nisur në vitin 2002 me dhurimin e 5 motovedetave dhe ka vazhduar me dorëzimin e 7 motovedetave të tjera në vitin 2004.
19 Qershor 2008