E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë në spital 70 veta nga ndotja e ujit



POLIÇAN – Pas Urës Vajgurore, një tjetër rast i ndotjes së ujit të pijshëm është shfaqur në Qarkun e Beratit, i cili ka shkaktuar helmimin dhe më pas përfundimin në spital të të paktën 70 personave. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në Poliçan, ku me dhjetëra vetë janë shtruar në mjediset e spitalit të qytetit. Të sëmurët kanë shenja diarreje, ndërsa mjekët dyshojnë për shfaqjen e një epidemie. Numri i lartë i të sëmurëve dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm, ndërkohë që ekspertët e Drejtorisë së Shëndetit Publik kanë marrë kampionet e ujit për të analizuar parametrat e ndotjes. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se gjendja paraqitet e rëndë dhe të sëmurët janë të grupmoshave të ndryshme. Në ndihmë të pacientëve kanë shkuar edhe mjekët e Spitalit Rajonal të Beratit, të cilët po u vijnë në ndihmë pacientëve. Qyteza e vogël midis Beratit të Çorovodës, po has në vështirësi për të menaxhuar fluksin e lartë të personave që kanë shfaqur simptomat e diarresë. Autoritet lokale kanë shprehur shqetësimin për kapacitetin akomodues në spitalin e Poliçanit. Gjendja e rënduar ka alarmuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, e cila nisi mbrëmë drejt Poliçanit një grup ekspertësh, të cilët do të analizojnë shkaqet e helmimit. Pak ditë më parë u shtruan në spitalin e Beratit 40 pacientë, që të gjithë nga një lagje në periferi të qytezës së Urës Vajgurore, pasi kishte patur probleme pas konsumimit të ujit të pijshëm i cili rezultoi i ndotur. Autoritetet e Shëndetit Publik urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të konsumimit të ujit.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›