E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset policja, u përplas me makinën



SHKODER – Teksa po kthehej nga puna në shtëpi me një biçikletë, një punonjëse e policisë ka mbetur e plagosur si pasojë e përplasjes me një makinë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është lënduar dje pasdite shtetasja Diella Sokoli, punonjëse në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës. 48 vjeçarja Sokoli është përplasur nga një automjet tip “Opel”, me targa SH 35 47 C, i drejtuar nga 40-vjeçari Alban Kraja. Sipas burimeve zyrtare pranë policisë, Diella Sokoli ndodhet në gjendje kritike për jetën në reanimacionin e Spitalit Rajonal të qytetit të Shkodrës. Opeli i drejtuar nga Kraja ka tërhequr për më shumë se 30 metra zvarrë 48-vjeçaren Sokoli. Burimet policore bëjnë të ditur se automjeti ka qenë duke udhëtuar në krah të kundërt të rrugës dhe me shpejtësi mbi normën e lejuar. Autori i aksidentit është arrestuar menjëherë nga uniformat blu.

Kapet italiani, ishte dënuar për kontrabandë

DURRËS – Një shtetas italian është ndaluar në Vlorë pasi ishte shpallur fajtore dhe dënuar me 14 muaj burgim nga Gjykata e Durrësit për veprën penale të kontrabandës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës, rreth orës 21.00, Seksioni Kundër Krimit Ekonomik, në zbatim të vendimit të Gjykatës së rrethit të Durrësit, të datës 06.05.2008 dhe urdhrit të Prokurorisë së këtij rrethi për ekzekutimin e këtij vendimi, bëri ndalimin e shtetasit Mario Caposso. Ndalimi i këtij shtetasi, lindur dhe banues në Costrovillari të Cozencas, u bë për arsye se bazuar në vendimin në fjalë, ndaj tij është caktuar masa e dënimit me 14 muaj heqje lirie për veprën penale të kontrabandës. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit që më datë 6 maj të këtij viti ka bërë shpalljen në kërkim italianit 47-vjeçar. Kapja e Caposso-s u bë në Vlorë dhe më pas ai është dërguar në Durrës, ku është dhënë vendimi për veprën penale që ka kryer.

Hetohet italiani për makinën e vjedhur në Napoli

KRUJË – Pasi është gjetur një makinë e cila rezultonte e vjedhur në Napoli që prej nëntorit të vitit 2007, ka nisur hetimi ndaj një shtetasi italian. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Vincenzo Di Nardo, për arsye se më datë 17.06.2008, rreth orës 03.30, në fshatin Thumanë të Krujës, e pikërisht në oborrin e banesës së shtetasit Sh.D., është gjetur dhe sekuestruar së bashku me dokumentacionin, automjetin tip B.M.Ë. ngjyre gri, me targa italiane CF 113 NP. Sipas tyre, mjeti është deklaruar në pronësi të 40-vjeçarit Di Nardo, por që ishte denoncuar në vendlindjen e tij si e zhdukur.

Arrestohen 4 persona për konfliktin brenda fisit në Salari

GJIROKASTËR – Policia e Gjirokastrës ndaloi në orët e vona të së martës katër persona në lidhje me konfliktin mes dy familjeve të një fisi, ku mbetën të plagosur rëndë 4 prej tyre. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se më datën 17 qershor, rreth orës 23.50, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Vullnet Hadër Kërçani, Proletar Izet Kërçani, Bilbil Hadër Kërçani dhe Admirim Jaup Dulaj, që të katër me banim në fshatin Salari të rrethit Tepelenë. Sipas zëdhënësit të Policisë Gentian Mullai, ndalimi u bë për arsye se në vendin e quajtur Salari në rrethin e Tepelenës, pas një konflikti për motive pronësie midis familjes së Proletar Kërçanit dhe vëllezërve Vullnet e Bilbil Kërçani, ku të dyja palët janë kushërinj midis tyre, kanë tentuar të vrasin me thikë njëri tjetrin, duke marrë plagë në trup të gjithë këta persona. Gjithashtu, në konflikt e sipër, është plagosur me armë gjahu tip çifte në pjesën e barkut shtetasja Bukuroshe Izet Dulaj. Të gjithë këta persona ndodhen në spitalin rajonal “Omer Nishani”Gjirokastër, për të marrë ndihmën mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Katër të arrestuarit po hetohen për veprën penale të “vrasjes në rrethana të cilësuara, mbetur në tentativë”.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›