Masë dy prokurorëve të Kurbinit
Roland Nikolli /KURBIN
Prokuroria e Përgjithshme çon në Këshill për masë disiplinore dy prokurorë të Kurbinit, që pretendohet se janë gjetur me shkelje në ushtrimin e detyrës. Lajmi konfirmohet nga burime të prokurorisë lokale, të cilat thanë se dy prokurorët, Tom Deda dhe Bardhyl Shehu, pritet të dalin para Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme për masë disiplinore “pezullim nga detyra”. Burimet thanë se shkeljet e pretenduara në punën e dy prokurorëve, u gjetën gjatë ushtrimit të kontrollit nga Inspektorati i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtoria e Inspektimit. Inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë verifikuar dosjet e hetuara nga dy prokurorët, duke arritur në përfundimin se në punën e tyre ka pasur shkelje për të cilat duhet marrë masë disiplinore. Kontrolli mësohet se është ushtruar për disa dosje të hetuara nga prokurorët në fjalë. Sipas burimeve nga Prokuroria e Kurbinit, mësohet se gjatë kontrollit inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë pretenduar për shkelje të gjetura në procedimet objekt kontrolli. Ndërkaq nga burime të tjera mësohet se në fakt kontrolli në Prokurorinë e Kurbinit është kryer që në tetor 2008 dhe masat po dërgohen tani në Këshillin e Prokurorisë, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga skadimi i afatit procedural në dispozicion të procedimit ndaj prokurorëve. Megjithatë burimet e Prokurorisë së Kurbinit, pretendojnë se kontrolli në dosjet e dy prokurorëve ka gjetur shkelje dhe parregullsi. Si pasojë e këtyre konstatimeve të gjetura që në tetor 2008, së fundi Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur që masat ndaj prokurorëve t’i çojë në Këshillin e Prokurorisë gjatë këtyre ditëve. Palët pritet të ballafaqohen në Këshillin e Prokurorisë, ku mësohet se do të paraqiten inspektorët që kanë bërë kontrollin si dhe dy prokurorët për ballafaqimin e fakteve. Më pas në varësi të argumenteve të palëve, Këshilli i Prokurorisë pritet të vendosë me votim për masat që do të merren. Njëri nga prokurorët që pretendohet se është gjetur me shkelje, Tom Deda ka kërkuar në gjykatë lirimin nga burgu për dy dhunuesit e meshtarit të Kishës së Shën Ndout, të cilët fituan lirinë, 48 orë pasi ishin arrestuar nga policia. Autorët e dyshuar për këtë ngjarje mësohet se janë nipat e kryebashkiakut të Laçit, Luigj Isufi. Vendimmarrja e Prokurorisë për këtë dosje është kundërshtuar nga meshtari i Kishës së Shën Ndout, patër Mikel Pllumbaj, ndërsa denoncimi i tij është bërë edhe shkak për kontrollin e befasishëm në Prokurorinë e Kurbinit dhe verifikimin e dosjeve që hetonte prokurori në fjalë.
Prokurorët, kundër kontrollit
Dy prokurorët e përmendur në raportin e kontrollit të Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, mësohet se i kanë kundërshtuar vlerësimet e bëra për punën e tyre. Sipas burimeve nga Prokuroria e Kurbinit, të dy prokurorët janë kundër masave disiplinore dhe në rrugë institucionale i kanë kundërshtuar dhe do të reagojnë ndaj tyre. Tashmë ajo që pritet të ndodhë është një ballafaqim i fakteve në Këshillin e Prokurorisë. Anëtarët e këtij të fundit, pasi të dëgjojnë palët pritet të shprehen me votim në lidhje me vendimin që do të merret. Në varësi të votimit në Këshill, vendimi më pas i kalon zyrës së Kryeprokurores.