Albtelekomi lidh marrëveshjen e interkonjeksionit me ASC-në
Operatori lider i telefonisë fikse në Shqipëri “Albtelekom”, duke i dhënë një rëndësi të veçantë liberalizimit të tregut dhe zhvillimit të konkurencës me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për konsumatorët, ka filluar negociatat me institucionet zyrtare dhe operatorët e tjerë që veprojnë në fushën e telekomunikacioneve për marrëveshjet e reja të interkonjeksionit. Në kuadër të kësaj filozofie, drejtuesit e Rinj të kompanisë kanë negociuar dhe finalizuar marrëveshjen e interkonjeksionit me operatorin ASC (Albanian Satellite Communications). “Ne konsiderojmë se respektimi i rregullave të konkurencës është në interes të konsumatorit shqiptar dhe jemi të vendosur që të bazojmë aktivitetin tonë mbi këto parime”,- thuhej në deklaratën zyrtare të “Albtelekom”-it. Drejtuesit e rinj të Kompanisë “Albtelekom” besojnë në një konkurencë të drejtë dhe të ndershme dhe kanë një qëndrim të njëjtë ndaj të gjithë operatorëve që operojnë në Shqipëri. Sipas kësaj deklarate, “Albtelekom-i konsideron si element primar shërbimin ndaj konusmatorit shqiptar, për këtë arsye shpreh respektin dhe mbështetjen ndaj të gjithë atyre që u ofrojnë shërbime shqiptarëve”.
29 Korrik 2008