Anketa e punësimit, shqiptarët e nisin punën që në moshën 15 vjeçare
Ervin Koçi
Kushtet e vështira ekonomike i detyrojnë shqiptarët që t’i futen punës që në moshë të mitur, duke punuar përkrah dhe njësoj sa të rriturit. Edhe pse puna e të miturve dhe shfrytëzimi i tyre dënohen me ligj në vendin tonë, përsëri një fenomen i tillë pranohet zyrtarisht nga institucionet shtetërore, të cilat i rendisin ato edhe në statistikat zyrtare. Këtë e konfirmon edhe Instituti i Statistikave, i cili duke bërë publike shifrat më të fundit të nivelit të punësimit në vendin tonë, referuar vitit 2007, nxier në pah moshën e hershme të nisjes së punës në vendin tonë. Sipas INSTAT-it, sondazhi është zhvilluar gjatë muajit qershor 2007 ku u krye për herë të parë Anketa specifike për Forcën e Punës në Shqipëri, pranë familjeve në nivel kombëtar. Anketa bën ndarjen e popullsisë 15 vjeç e lart në tre grupe të veçanta: të punësuarit, të papunët dhe personat inaktivë, në lidhje me tregun e punës, si edhe sigurohen të dhëna përshkruese dhe shpjeguese për secilën nga këto kategori. Në bazë të të dhënave të Anketës për Forcën e Punës 2007, popullsia në moshë 15-64 vjeç përbën 88 për qind të popullsisë. Në vendin tonë gjatë muajit qershor 2007, në bazë të të dhënave të Anketës për Forcën e Punës dhe në përputhje me definicionin e BE-së për punësimin, rezultojnë rreth 1 milionë e188 mijë të punësuar në moshë 15 vjeç e lart. Niveli i punësimit është më i lartë për meshkujt me 64 për qind, krahasimisht me femrat me 49 për qind. Ky tregues është më i lartë për meshkujt në të gjitha grupmoshat.
Niveli arsimor
Edhe niveli arsimor i pjesës më të madhe të kreahut të punës në vend rezulton i ulët, çka tregon për një numër të lartë të krahut të punës të pakualifikuar. Kështu, popullsia nga 15-64 vjeç me arsim 8-vjeçar zë rreth 55 për qind të numrit të të punësuarve, edhe pse niveli dhe mundësiaq e punësimit vjen në rritje për ata me arsim të mesëm dhe të lartë. Struktura e punësimit sipas sektorëve për të punësuarit në moshë 15-64 vjeç, tregon që punësimi në sektorin shtetëror përbën vetëm 15 për qind të punësimit gjithsej. Femrat e punësuara kanë një pjesëmarrje më të madhe në sektorin privat bujqësor, ndërkohë që meshkujt janë më të angazhuar në sektorin privat jo-bujqësor (femrat përbëjnë vetëm afro ¼ e të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor). Struktura e punësimit sipas aktiviteteve ekonomike, tregon një përqëndrim më të lartë të të punësuarve në: bujqësi me 47.5 për qind, tregti me 11 për qind, industri përpunuese me 8.8 për qind, si dhe në ndërtim 8.3 për qind. Struktura e punësimit sipas grup-profesioneve, klasifikuar në bazë të nomenklaturës “ISCO-88”, paraqet një përqendrim të lartë të të punësuarve në grupin e madh, “Punëtorë të kualifikuar të bujqësisë dhe peshkimit” me 45 për qind, ndjekur nga grupi “Zejtarë dhe punëtorë të zanateve të ndryshme” me 13 për qind dhe grupi “Punëtorë të shërbimeve, shitblerjeve dhe dyqaneve” me 10 për qind.
Papunësia
Gjatë muajit qershor 2007 numëroheshin rreth 185 mijë të papunë, përllogaritur në përputhje me definicionin e ILO-s dhe BE-së. Shkalla e papunësisë për këtë periudhë është 13.5 për qind. Shkalla e papunësisë është më e lartë në grupmoshat e reja deri në rreth 30 vjeç. Ky tregues, për meshkujt e grupmoshave të reja deri në 29 vjeç është më i lartë krahasimisht me femrat; ndërsa për grupmoshat 35-49 vjeç treguesi është më i lartë për femrat. Nga ana tjetër në grupmoshat pas 50 vjeçve vihet re një tendencë më e lartë për të kërkuar punë tek meshkujt. Shkalla e papunësisë vjen gradualisht në ulje, sa më shumë rritet niveli i arsimimit për popullsinë që jeton në zonat urbane, ndërsa nuk vihen re diferenca në zonat rurale. Sipas anketës, mënyra kryesore nëpërmjet së cilës të papunët kërkojnë punë në vendin tonë, është “nëpërmjet miqve/shokëve dhe të afërmve”, ku rreth 82.6 për qind e të papunëve kanë kërkuar punë nëpërmjet kësaj mënyre. Kjo metodë pasohet nga “nëpërmjet kërkimit në zyrën e punës” me 31.2 për qind, “aplikim direkt tek ndonjë punëdhënës” me 21.6 për qind, “studiuar lajmërimet në gazeta” me 19.5 për qind.
Popullsia inaktive
Inaktivët në moshë 15-64 vjeç përbëjnë rreth 35 për qind të kësaj popullsie. Kjo përqindje relativisht e lartë rezulton kryesisht si pasojë e: 1) 39 për qind e inaktivëve përbëhen nga nxënësit dhe studentët; 2) ka një numër të konsiderueshëm personash pa punë por që nuk kërkojnë punë, sepse “besojnë që nuk ka punë të disponueshme”, pra që janë të papunë të dekurajuar dhe zënë 16 për qind; 3) ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm shtëpiakësh me rreth 14 për qind; 4) rreth 14 për qind e inaktivëve përbëhen nga persona në pension.
Punësimi sipas gjinisë dhe sektorëve (15-64 vjeç)
Meshkuj Femra Gjithsej Meshkuj Femra Gjithsej
Sektori
shtetëror 99916 80842 180758 15.1 15.4 15.2
Sektori
privat
bujqësor 243387 317025 560412 36.7 60.4 47.2
Sektori
privat
jo-bujqësor 320526 126606 447132 48.3 24.1 37.6
Gjithsej 663829 524473 1188302 100.0 100.0 100.0
29 Korrik 2008