E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrime me shitjen e naftës bruto, 3 në pranga 11 në hetim

19/09/2011  Regjistruan subjekt privat fiktiv, miliona me shitjen e karburanteve. Evazioni në shuma të mëdha

FIER- Tre persona janë vënë në pranga, ndërsa gjykata ka dhënë për ta edhe masën e vlerësimit të arrestit duke i lënë në burg pa afat. Ndërkohë edhe 11 shtetas të tjerë janë nën hetim nga policia e shtetit, pasi akuzohen për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Mësohet se ka qenë operacioni i koduar "Kompania guaskë" i cili ka arritur të çojë në pranga shtetasit Besnik M., 37 vjeç, me profesion inspektor në Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale, pranë Autoritetit Portual Durrës, Ervis S. 32 vjeç, me profesion ekonomist dhe Dyleman Q., 58 vjeç, i dënuar tre herë më parë për veprat penale të vjedhjes dhe moskallëzimit të krimit. Ndërkohë policia ka hetuar dhe arrestuar edhe shtetasit Vangjel P., 58 vjeç dhe Sotiraq S., 51 vjeç, për të cilët gjykata dha masën e arrestit "detyrim paraqitjeje".

Mashtrimi

Mësohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri - tjetrin në muajin prill të 2010 kishin arritur të krijonin një shoqëri tregtare me objekt tregtimin me shumicë të karburanteve, nëpërmjet një skeme mashtrimi për një periudhë gati katër mujore. Ata kanë fshehur aktivitetin real të transportit të naftës bruto përmes dokumenteve të falsifikuara, duke shkaktuar një evazion në një vlerë të konsiderueshme. Përfaqësuesit e kësaj shoqërie, në kundërshtim me ligjin, kanë lidhur dhe ekzekutuar një kontratë për blerje nafte bruto, e cila nuk rezulton të jetë dërguar për përpunim. Sipas policisë, në hetim janë përfshirë edhe njëmbëdhjete persona të tjerë që po hetohen në gjendje të lirë, ndërkohë që materialet procedurale në ngarkim të këtyre personave i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Fier. Sipas burimeve brenda organit të akuzës, mësohet se Prokuroria e rrethit gjyqësor, Fier në datë 12.11.2010, ka regjistruar procedimin penal me nr.834, për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në bashkëpunim, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve’. “Ndaj personave të lartpërmendur, Prokuroria e rrethit gjyqësor, Fier ka nxjerrë urdhër arrestet, pasi: në muajin prill të vitit 2010, shtetasi Besnik M., në bashkëpunim me shtetasin Ervis S. dhe Dylejman Q., kanë konstatuar një shoqëri tregtare inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator Selman D., dhe emrin e shoqërisë “Mobil Albania, me numër NIPT L02806405S, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobileve, mallrave të ndryshëm industrialë, mobilie zyrash, prodhim dhe tregtim materialesh ndërtimi. Kjo shoqëri është krijuar prej tyre me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës se lekëve prej 50.000.000 lekësh të reja. Kjo është bërë e mundur të realizohet prej tyre, vetëm pasi kanë siguruar një person të papunë dhe në gjendje tepër të vështirë ekonomike, shtetasin Selman D., të cilit i kanë premtuar që në shkëmbim të krijimit të kësaj shoqërie, do t’i krijonin atij një shoqëri tjetër të vetën ku fitimet do t’i kishte të gjitha për vete Selmani, dhe përpos kësaj, kundrejt ardhjes që ky i fundit do të bënte në Fier për të plotësuar dokumentacionin, do t’i paguanin atij një rrogë mujore prej 100.000 lekësh. Shoqëria “Mobil Albania” rezulton të ketë kryer blerje të naftës bruto te shoqëria Stream Oil Gas, ltd, në shumën prej 31.000.000 lekëve. Kjo shoqëri (Mobil Albania) ka bërë blerje të naftës bruto nga muaji maj-gusht të vitit 2010. Kjo blerje është bërë te subjekti Stream Oil Gas L.T.D, dhe kap shifrën 33.965.100 lekë, që i korrespondon sasisë 1.476.743. Çmimi i blerjes së naftës referuar aktit të konstatimit është 23 lekë/kg; Subjekti Mobil Albania ka shitur 210.181 m3 naftë, me çmimin 46 lekë/kg, që kap vlerën 9.668.331 lekë.; Ndërkohë që rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1266.562 ton”,- vijon deklarata e Prokurorisë.

Evazioni

Po ashtu sipas të njëjtit burim, mësohet se shoqëria Mobil Albania ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të detyrueshme për t’u paguar. “Nuk rezulton të jetë paguar akciza e pagueshme për sasinë e shitur prej 1.476.743, lëndë djegëse dhe kjo shoqëri nuk ka paguar as TVSH-në, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15.986.415 lekë. Kjo shoqëri është krijuar për të shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të cilat kapin vlerën 15.986.415 lekë (fshehje akcize + tatim fitimi + TVSH + sigurime shoqërore)”. Ndërkohë Prokuroria ka arritur të zbardhë edhe lidhjet mes personave të implikuar dhe personit, i cili pranoi që në mënyrë abuzive të firmoste për një shoqëri që nuk e administronte vetë. “Vlen të theksojmë faktin se, shtetasi Dylejman Q. ka shërbyer si ndërmjetës kryesor për të lidhur shtetasin Besnik M. me shtetasin Selman D. Dylejmani është favorizuar për të bërë ndërlidhjen nisur nga fakti që me Selmanin njiheshin se ishin bashkëfshatarë nga Ngracani, dhe kishte dijeni për gjendjen e vështirë të tij ekonomike”, vijojnë burimet. Skandali ka vijuar të thellohet edhe më tej sipas organeve kompetente kur i gjithë dokumentacioni për këtë aferë, është përpiluar nga shtetasi Ervis S., me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore. “Të gjitha transaksionet bankare janë kryer nga shtetasi Ervis S., ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman D. Shtetasi Ervis S., veprimet bankare i ka kryer në një bankë, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir S.”, vijon materiali i organit të akuzës. Ndërkohë tashmë hetimet janë shtrirë në të gjithë rrethin e Fierit, si dhe po merren në pyetje edhe shoqëri karburantesh, pasi dyshohet për persona të tjerë të implikuar në lidhje me këtë ngjarje. Policia e Fierit ka qenë pothuajse e përjashtuar nga ky operacion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›